LajmeSport

Rrëfimi i Zielinskit: Në Itali, për 100 mijë euro. Viti i parë te Interi i dobët? Faji i këpucëve…

Piotr Zielinski hap zemrën në një intervistë për të përditshmen ‘La Gazzetta Dello Sport’ teksa përgatitet për sezonin e ri me futbollistin e Interit që kërkon sfida të reja që do t’i pasurojnë karrierën e tij.

Pasi ishte një prej futbollistëve më të mirë të zikaltërve në vitin e dopietës, polaku në fushatën e re nuk përjashton asgjë.

Si duhet të të thërrazim Piotr apo Zielo?

‘Zielo është shumë mirë’

Ok Zielo, jemi në 2026: ke kaluar 15 vjet në Itali, gjysma e jetës tënde. Pse?

‘Sepse jam i lidhur me vendin tuaj. Kam pasur mundësi për të ndryshuar ambient në momente te ndryshme, por zgjedhja e parë gjithnjë ka qenë Serie A. Këtu ushqehesh mirë, jeton mirë, ka gjithçka që një futbollist mund të dëshirojë’

Por kampionati nuk është më kompetitiv si më parë

‘Unë nuk shoh një situatë kaq kritike në nivel klubesh; Inter ka luajtur 3 finale evropiane në vitet e fundit, Roma e Atalanta kanë fituar. Nuk më duket se ka një bilanc katastrofik’

Si u realizua transferimi në Udine në 2011?

‘Isha 17 vjeç dhe në atë kohë prej 4 vitesh jetoja 120 km larg shtëpisë në konviktin e Zaglebie Lubino. Luajtëm një turne të rinjsh me kombëtaren polake në Spanjë, në La Manga. Ishte fati im sepse gjysma e skuadrave të Serie A më telefonuan për një grumbullim prej 10 ditësh. Udinese më bindi duke më premtuar një kontratë. Dhe kështu ndodhi; Andrea Carnevale, pas vetëm pak stërvitjesh pa që isha i zoti. Kartoni im kushtoi vetëm 100 mijë euro, do të thoja që ishte një investim i mirë’

Impakti nuk duhet të ketë qenë i lehtë.

‘Jo, edhe sepse nuk e flisja gjuhën ndonëse kisha marrë leksione të italishtes. Kur erdha, në program ishte shkruar fjala ‘Ritiro’(grumbullim) që nuk e kuptoja. Më thanë që të përgatisja valixhet se do të niseshim për në mal. Pastaj, në atë kohë nuk ishte e njëjta lehtësi të hyje në internet. Më mungonin familja dhe miqtë. Ka pasur ndonjë moment kur mendova të rikthehesha në shtëpi. Më ndihmoi shumë Georgios Alafogiannis, mësuesi i gjuhës italiane në klub që përshpejtoi përshtatjen time, por edhe Allan, Pereyra dhe të tjerët’

Le të kthehemi prapa në kohë, në hapat e parë në Poloni. Si hyre në botën e futbollit?

‘Kam përjetuar një fëmijëri të lumtur. Babai im Boguslaw ishte trajner dhe në çdo moment të lirë, më çonte në fushë për të më mësuar teknikën. Më pëlqente të luaja edhe tenis, isha tifoz i çmendur i Federer dhe Djokovic, por dashuria ime e vërtetë ishte futbolli. Në kopshtin e shtëpisë argëtohesha edhe me dy vëllezërit e mi më të mëdhenj’

Duke u ushtruar zhvillove një  cilësi të rrallë; të godasësh mirë topin me të dyja këmbët

‘Kam punuar. Kur isha i vogël, nëna ime Beata më shoqëroi në një turne duke zëvendësuar babain tim që nuk mund të vinte. Një ndeshje shkoi me penallti, kështu që e pyeta nënën time nëse mund të gjuaja me të majtën dhe ajo më autorizoi për këtq. Gjuajta me këmbën tjetër dhe nuk gabova. Tani gjithçka vjen e natyrme. Në kampionatin Primavera më ndodhi të shënoja dy gola me goditje dënimi, një me të djathtën dhe një me të majtën’

Thonë se modeli yt i futbollistit është Tomas Rosicky, ish mesfushori i Arsenalit

‘Shumë e vërtetë. Në shkollë më dhanë një detyrë ku duhet të shkruaja se kush ishte idhulli im. Dhe unë shkruajta Rosicky. Në atë kohë në Poloni nuk kishte një nr.10 kaq të mirë dhe unë e gjeta te fqinjët e vendit tim, në Çeki. E di që shumë fëmijë shihnin yje si Zidane, Iniesta apo Ronaldinho që edhe unë i admiroja, por Rosicky më emociononte. E shihja veten time edhe në disa karakteristika të tij, më frymëzoi gjatë rrugëtimit tij. Flasim për një futbollist zotëri’

Kolegu i tij, aktualisht drejtori sportiv i Spartës së Pragës do të jetë krenar

‘Nuk besoj se e ka ditur ndonjëhere. Ndoshta do ta lexojë tani…’.

Por rrugëtimi i Zielinskit ishte ndryshe; nga një nr.10 u bëre një gjysmësulmues krahu dhe për Chivun edhe organizator

‘Kushedi, mbase e mbyll karrierën si mbrojtës, në Poloni…Me siguri, ka qenë një evoluim. U bëra mesfushor i mirëfilltë te Empoli, në fillim me Sarrin e më pas sidomos me Giampaolon. Dhe te Interi po mësoj edhe rolin e organizatorit’.

Nuk të pëlqente dhe e ke thënë qartë

‘Por duhet të pranoj se po bindem. Kjo e imja ishte një rezistencë mentale. Vazhdoj ta shoh veten si gjysmësulmues krahu, por nuk m mungon asgjë për të luajtur edhe përpara mbrojtjes’.

Çfarë ndodhi mes vitit të parë dhe të dytë te Interi?

‘Shpresoja që trajneri i ri të ishte kurioz që të kuptonte se çfarë nuk funksiononte më parë. Për fat të mirë, kjo ndodhi. Më kuptoi, më priti. Dhe unë ngadalë ngadalë ia dola të shpreh të gjithë potencialin tim. Nuk e kam menduar kurrë largimin nga Interi’.

Pse sezoni i parë ishte kaq negativ?

‘Sepse ndërkohë kisha probleme fizike. Provova këpucë të reja, më shkaktuan kallo në këmbë që fizioterapistët nuk i kishin parë kurrë në karrierën e tyre. Që aty dolën edhe probleme të tjera. Pastaj, ishte edhe faji im. Kisha nënvlerësuar vështirësitë e transferimit nga Napoli. Duhej të punoja më shumë dhe të pranoja se nuk do të isha gjithnjë titullar’.

Çfarë pret nga Interi tani?

‘Ëndrra është të fitoj Ligën e Kampioneve. Do të bëjmë gjithçka për ta realizuar që këtë vit. Por nuk  lëmë asgjë pas dore as në Itali’.

Je 32 vjeç, a mendon që tani se çfarë do të bësh pasi të lësh futbollin?

‘Nuk dua ta mendoj sepse më tremb. Pastaj, nuk jam kaq i vjetër në moshë. Marr shembull një fenomen si Modric që në moshën 41 vjeçare luan ende në nivele të larta dhe fizikisht është shumë mirë. Duhet të kujdesem shumë për trupin tim, gjithnjë e më shumë, për të rezistuar. Por shpresoj që të qëndroj në futbollin e nivelit të lartë edhe për 5-6 vjet. Ndoshta te Interi…’

Çfarë njeriu është Zielo jashtë fushave të lojës?

‘Më pëlqen të qëndroj me familjen dhe larg kaosit. Bashkëshortja dhe unë kemi dy fëmijë, një qen dhe preferojmë të jetojmë pranë Comos, pak kilometra larg Appianos. Rutina ime është të çoj fëmijët në shkollë dhe të shkoj në fushë shumë shpejt. Dal pak. E njëjta gjë ishte edhe në Napoli; nuk jetoja në qytet, por në Varcaturo’.

Ndërkaq, në Poloni iu je dedikuar nismave të solidaritetit

‘Po. Kemi krijuar dy struktura që kanë në total 20 fëmijë jetimë apo familje të vështira. Në një prej tyre jetojnë edhe prindërit e mi. Ishte një ide e tyre. Mendo që kur isha i vogël mirëprisnin në shtëpinë tonë disa prej këtyre fëmijëve. Një herë ishin duke menduar të adoptonin dy vëllezër’

Çfarë ke mësuar nga ajo eksperiencë?

‘Të ndaj gjërat dhe të trajtoj me kujdes çdo qenie njerëzore’.

Related Articles

Back to top button
Close
Close