
Më shumë se 9 futbollistë të lënduar, “Lamtumira” e ekipit të tij të futbollit
Një ngjarje tragjike u shënua të martën (4/8) në Tajlandë gjatë një ndeshjeje kupe të Yala FC, ku një rrufe goditi fushën e lojës, duke i marrë jetën një futbollisti 24-vjeçar dhe duke plagosur më shumë se nëntë të tjerë. Sipas informacioneve nga e.vnexpress.net, incidenti fatal ndodhi në stadiumin “Santiphap”, në distriktin Su-ngai Kolok të provincës Narathiwat. Gjatë ndeshjes po binte një shi i rrëmbyeshëm, kur papritmas një rrufe goditi barin, duke bërë që disa lojtarë të rrëzoheshin menjëherë në tokë.
Të plagosurit u dërguan me urgjencë në spital për të marrë ndihmën e parë. Megjithatë, anësori 24-vjeçar i Yala FC, Safwan Awa, pësoi dëmtimet më të rënda dhe, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk arriti të mbijetonte, raporton Thai PBS World. “Bordi drejtues, stafi i trajnerëve, futbollistët dhe të gjithë anëtarët e ekipit menaxhues të Yala FC shprehin ngushëllimet më të thella për familjen e Safwan Awae (Ing). Një delegacion i klubit, i kryesuar nga drejtori z. Nimit Phumiprasert dhe i shoqëruar nga z. Nyuma Durama, Don Hawang dhe Sabri Eiso, vizitoi familjen për t’i shprehur ngushëllimet dhe për t’i dhënë mbështetje morale pas humbjes së lojtarit të ri në këtë fatkeqësi natyrore. Safwan ishte fëmija i tretë nga tetë vëllezër e motra.
Të gjithë i bashkohemi lutjeve, duke i kërkuar Allahut (Subhanahu wa Ta’ala) ta mëshirojë, ta falë dhe t’i dhurojë kopshtet e Parajsës, si dhe t’i japë durim dhe forcë familjes, të afërmve dhe miqve për të përballuar këtë humbje të madhe.”



