LajmeMaqedoni

VLEN: Mbi 6 milionë euro investim në Saraj, nis rregullimi i shtratit të Lumit të Thatë

VLEN vlerëson se fillimi i punimeve për rregullimin e shtratit të Lumit të Thatë në Komunën e Sarajit shënon nisjen e një prej investimeve më të rëndësishme infrastrukturore për këtë komunë, me vlerë mbi 6 milionë euro.

Në një komunikat për media, VLEN thekson se projekti do t’i japë fund një problemi shumëvjeçar, i cili sipas tyre ka rrezikuar jetën e banorëve, pronat dhe tokat bujqësore të zonës.

Sipas VLEN-it, projekti është iniciuar në periudhën kur Izet Mexhiti ushtronte detyrën e zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit, ndërsa tani po realizohet nën udhëheqjen e kryetarit të Komunës së Sarajit, Muhamet Elmazi, dhe me angazhimin e ministrit të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha.

VLEN akuzon qeverisjet e mëparshme se për 22 vjet e kanë lënë Sarajin në harresë, duke mos ofruar zgjidhje për problemet me përmbytjet.

“Çdo cikël zgjedhor shoqërohej me premtime të njëjta, ndërsa pas zgjedhjeve qytetarët përballeshin sërish me përmbytje, dëme materiale dhe zhgënjim”, thuhet në reagim.

Koalicioni shtron edhe pyetjet se pse Saraji ka mbetur për dekada pa mbrojtje nga përmbytjet dhe pse mijëra familje janë detyruar të jetojnë me frikën e reshjeve dhe vërshimeve.

Në fund VLEN thekson se realizimi i këtij investimi është dëshmi se premtimet po shndërrohen në projekte konkrete, duke shtuar se mbetet i përkushtuar për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve dhe garantimin e zhvillimit të qëndrueshëm në komunë.  .

Related Articles

Back to top button
Close
Close