Mexhiti, në ekspozitën fotografike të Engin Uzun, “ŞAHİT OL – 30 vjet udhëtim në fotografi”
19 Korrik, 2026
1 minute read
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, gjatë ditës së sotme mori pjesë në ceremoninë e hapjes së ekspozitës fotografike “ŞAHİT OL – 30 vjet udhëtim në fotografi”, të autorit Engin Uzun, fotograf shqiptar me prejardhje nga Shkupi.
Ekspozita u hap në ambientet e Kurshumli Hanit në Shkup dhe paraqet një retrospektivë të krijimtarisë 30-vjeçare të Uzunit, duke sjellë para publikut momente të dokumentuara përmes objektivit të tij ndër vite.
Në këtë aktivitet kulturor morën pjesë përfaqësues të institucioneve, artistë, dashamirës të fotografisë dhe qytetarë të shumtë, të cilët patën mundësinë të njihen nga afër me veprat e autorit.
Pjesëmarrja e kryetarit Mexhiti në këtë ngjarje vlerësohet si mbështetje për promovimin e artit, kulturës dhe vlerave që pasurojnë jetën kulturore në Shkup.
Ekspozita “ŞAHİT OL – 30 vjet udhëtim në fotografi” do të mbetet e hapur për vizitorët edhe në ditët në vijim, shkruan Top24
Në ambientet e Kurshumli Hanit u hap ekspozita fotografike “ŞAHİT OL – 30 vjet udhëtim në fotografi” e fotografit Engin Uzun, shqiptar me prejardhje nga Shkupi. Pata kënaqësinë të jem i pranishëm në këtë ngjarje artistike, e cila përmblodhi tri dekada të krijimtarisë së tij përmes njerëzve, vendeve dhe rrëfimeve të kapura nga objektivi.
Ndoshta nuk kishte vend më të përshtatshëm për një ekspozitë me titull “ŞAHİT OL”. Ashtu si Kurshumli Hani që ka ruajtur në muret e tij gjurmët e kohës, edhe fotografia ruan çaste që ndryshe do t’i merrte me vete harresa. Ajo na kujton se historia nuk shkruhet vetëm në libra, por edhe në fytyra, në vende dhe në momente që objektivi arrin t’i bëjë të përjetshme.
Fotografitë e kësaj ekspozite tregojnë se çastet kalojnë, por rrëfimet që mbartin mbeten. Kjo është fuqia e fotografisë dhe vlera e një udhëtimi artistik që prej 30 vitesh ruan njerëz, vende dhe momente, duke i bërë pjesë të kujtesës sonë kulturore.
E përgëzoj Enginin për këtë përvjetor të rëndësishëm të krijimtarisë së tij dhe i uroj nga zemra shërim të plotë, shëndet e forcë, me dëshirën që ta vazhdojë edhe për shumë vite rrugëtimin e tij artistik.