BotaLajme

Virusi po “vlon”, Gjermania pritet ta bëjë të detyrueshëm vaksinimin për stafin shëndetësor

Gjermania pritet ta bëjë të detyrueshëm vaksinimin për stafin shëndetësor.

Ministri i ri gjerman i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, i mbrojti kufizimet ndaj të pavaksinuarve dhe detyrimin për vaksinim për stafin e mjekëve dhe infermierëve, masa që pritet të miratohen më vonë të premten nga deputetët.

“Është absolutisht e papranueshme që në institucionet ku jetojnë njerëzit, që na besojnë ne për t’i mbrojtur ata, që njerëzit po vdesin pa nevojë për shkak se të pavaksinuarit punojnë atje”, tha Lauterbach në Bundestag.

Gjermania po përballet me valën e katërt të infeksioneve. Shteti me popullsinë më të madhe në BE ka shkallë relativisht të ulët të vaksinimit në krahasim me vendet tjera të Bashkimit Evropian. Rreth 69 për qind e popullsisë është e vaksinuar plotësisht, ndërsa së paku 21.3 për qind e ka marrë dozën përforcuese, sipas shifrave zyrtare.

Të premten, Insituti “Robert Koch” raportoi 61.288 raste të reja infeksionesh dhe 484 vdekje të lidhura me Covid-in, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.

Përpos vaksinimit obligativ për profesione të caktuara nga mesi i marsit, legjislacioni i ri gjithashtu ua lejon autoriteteve rajonale mbylljen e bareve dhe restoranteve për shkak të shkallës së lartë të infeksioneve.

Sipas një ankete të televizionit ZDF, më shumë se tri të katërtat e gjermanëve i përkrahin kufizimet e ashpra ndaj personave të pavaksinuar, ndërsa 21 për qind mendojnë se një gjë e tillë nuk është e duhur.

Gati 70 për qind e pjesëmarrësve në anketë e përkrahin edhe vaksinimin e detyrueshëm. Një hap i tillë përkrahet edhe nga kancelari i ri, Olaf Scholz, dhe mund të zbatohet nga fundi i shkurtit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close