
Bashkimi Demokratik për Integrim, dega në Kërçovë, ka reaguar ashpër ndaj promovimit të një fushate nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, duke e cilësuar atë si përjashtuese dhe në kundërshtim me karakterin multietnik të qytetit, përcjellë gazeta KOHA.
Sipas reagimit të kësaj dege, ministri Tripunovski gjatë qëndrimit në Kërçovë promovoi fushatën me sloganin në gjuhën maqedonase “гласот што го слушаме, македонското најдобро”, pa përfshirë gjuhën shqipe në asnjë segment të aktivitetit.
Nga BDI theksojnë se në një komunë ku shqiptarët përbëjnë mbi 50 për qind të popullsisë, është e papranueshme që banderolat të jenë vetëm në maqedonisht, promovimi të zhvillohet në një gjuhë dhe të mungojë komunikimi në shqip nga përfaqësuesit institucionalë.
“Ky veprim nuk është vetëm mungesë respekti, por përbën shkelje të drejtpërdrejtë të parimeve të barazisë dhe bashkëjetesës, si dhe të dispozitave të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve”, thuhet në reagim.
Dega e BDI-së në Kërçovë vlerëson se një qasje e tillë dërgon mesazh përjashtues dhe diskriminues ndaj qytetarëve shqiptarë, duke theksuar se institucionet shtetërore kanë detyrim ligjor dhe moral të respektojnë gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare.
Në reagim më tej theksohet se Kërçova nuk mund të trajtohet në mënyrë selektive, duke anashkaluar identitetin dhe përbërjen etnike të qytetit.
BDI-Dega Kërçovë kërkon nga institucionet që të zbatojnë ligjin në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët, pa dallim, duke shtuar se nuk do të heshtë përballë veprimeve që cenojnë barazinë dhe respektin ndëretnik.
“Respekti për gjuhën është respekt për qytetarin”, përfundon reagimi.



