LajmeRajonTopLajm

“Askujt mos t’i shkojë në mendje…”! Vuçiç: Serbia, e gatshme të shpërndajë vaksina për shqiptarët në Kosovë!

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se Serbia do të vazhdojë të kujdeset për “popullin e saj në Kosovë” dhe se është e gatshme që të dërgojë ilaçe dhe vaksina edhe për shqiptarët.

Ai tha se dërgesa e vaksinave në veri të Kosovës, nga ana e Beogradit, nuk përbën shkelje të marrëveshjes së Brukselit.

“Askujt as nuk duhet t’i shkojë në mendje që të sulmojë dikë që ndau ilaçe”, ka thënë Vuçiç.

Ai gjithashtu njoftoi se Serbia do të bëjë investime të reja në Graçanicë dhe Mitrovicën e Veriut.

Fillimi i vaksinimit të popullatës në veri të Kosovës kundër COVID-19, me vaksina të dërguara nga shteti serb, ka nxitur reagime në Kosovë.

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla, tha më 27 dhjetor se hyrja ilegale në Kosovë e disa produkteve farmaceutike nga Serbia “përbën shkelje flagrante të Marrëveshjes për Vulat Doganore dhe asaj për Njohjen Reciproke të Certifikatave Farmaceutike”.

Këto marrëveshje, Kosova dhe Serbia i kanë arritur në vitin 2015 në kuadër të dialogut teknik.

Qeveria në detyrë e Kosovës ka thënë se nuk ka asnjë të dhënë nga Dogana dhe nga Policia Kufitare, se në Kosovë kanë hyrë vaksina të tilla.

Sistemi shëndetësor në komunat me shumicë serbe në Kosovë funksionon brenda sistemit serb.

Vaksina Pfizer/BioNTech ka arritur në Serbi më 22 dhjetor.

Radio Evropa e Lirë ka marrë vesh se vaksinat nuk kanë hyrë në Kosovë përmes Entit të Shëndetit Publik, i cili funksionon brenda sistemit serb në veri.

Të hënën (28 dhjetor) kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Komisionari për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi “ngritën shqetësimin” lidhur me hyrjen ilegale të vaksinës kundër koronavirusit të ri në Kosovë, “pa procedura të rregullta të importit apo donacionit për produkte medicinale, për të cilat nuk dihet as origjina”.

“Kjo sjellje e Republikës së Serbisë u konsiderua e papranueshme dhe institucionet e Kosovës kanë iniciuar veprimet e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këto veprime”, thuhet në njoftimin për media nga zyra e Hotit, pasi ai zhvilloi një bisedë telefonike me komisionarin e Bashkimit Evropian, Oliver Harhelyi.

Më herët gjatë së hënës, nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se kanë nisur hetimet lidhur me hyrjen e vaksinave kundër koronavirusit në komunat në veri të Kosovës./REL

Related Articles

Back to top button
Close
Close