
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Michalis Rokas, ka pranuar se qytetarët e Maqedonisë së Veriut ndihen të zhgënjyer dhe të lodhur nga zvarritja e procesit të integrimit evropian, por ka theksuar se Bashkimi Evropian mbetet i vendosur që vendi të bëhet pjesë e familjes evropiane. Në një intervistë për emisionin “Rishtazi” në KohaCast, Rokas tha se gjatë vizitave të shumta në qytete dhe komuna të ndryshme të vendit ka ndjerë nga afër frustrimin e qytetarëve për pritjen e gjatë drejt anëtarësimit në BE. “E ndjej plotësisht këtë frustrim. Që kur kam ardhur këtu, kam vendosur si prioritet të udhëtoj në të gjithë vendin dhe të takohem jo vetëm me autoritetet lokale, por edhe me qytetarët. Kudo që shkoj, e ndiej këtë ndjenjë zhgënjimi. Pritja ka qenë shumë e gjatë. Kanë kaluar 21 vjet që kur Maqedonia e Veriut mori statusin e vendit kandidat dhe njerëzit me të drejtë pyesin nëse anëtarësimi do të ndodhë ndonjëherë”, deklaroi Rokas.
Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet t’u japë qytetarëve një përgjigje të qartë dhe të besueshme, veçanërisht në një periudhë kur politika e zgjerimit ka marrë një dinamikë të re. Ambasadori theksoi se zhvillimet gjeopolitike, sidomos pas agresionit rus ndaj Ukrainës, kanë ndryshuar rrënjësisht qasjen e BE-së ndaj zgjerimit. “Zgjerimi tani ka një impuls të ri dhe një moment të ri. Gjërat kanë ndryshuar në mënyrë dramatike që nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës. Ky është një moment që duhet shfrytëzuar. Ne jemi këtu për të dhënë një përgjigje konkrete dhe nuk duhet të ketë asnjë dyshim se Bashkimi Evropian dëshiron që Maqedonia e Veriut të bëhet pjesë e familjes evropiane”, theksoi ambasadori.



