
Përpos të rinjve nga vendi, dhjetëra kandidatë nga Republika e Kosovës, Republika e Shqipërisë,
Lugina e Preshevës dhe mërgata, aplikojnë për regjistrim në programet studimore të Universitetit të
Tetovës.
Nga Zyra për Arsim e Universitetit të Tetovës bëjnë të ditur se, me fillimin e afatit të parë të
regjistrimit për vitin akademik 2026/2027, në njësitë e Universitetit është evidentuar një interesim i
lartë i të rinjve, të cilët aplikojnë dhe e dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm për t’u regjistruar
në degët e tyre të preferuara.
Si universiteti i parë në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Universiteti i Tetovës
ndër vite ka zgjeruar ofertën arsimore, e ka konsoliduar sistemin e tij digjital, duke e bërë procesin e
aplikimit dhe regjistrimit më të lehtë, më të qasshëm dhe më efikas për kandidatët nga vendi dhe
jashtë tij.
Sot, harta e kandidatëve të cilët shfaqin interes për të studiuar në Universitetin e Tetovës është
zgjeruar dukshëm. Krahas të rinjve nga vendi, një pjesë e konsiderueshme e kandidatëve potencialë
vijnë nga Republika e Kosovës, Republika e Shqipërisë, Lugina e Preshevës dhe nga diaspora.
Sipas të dhënave të Zyrës për Arsim, rreth 10 për qind e studentëve potencialë vijnë nga këto
hapësira.
Kjo shtrirje e interesimit, sipas Zyrës për Arsim, është rezultat i besueshmërisë që Universiteti i
Tetovës ka ndërtuar në rajon, reformave të vazhdueshme, ofertës së pasur studimore dhe
infrastrukturës moderne që tashmë e karakterizon këtë institucion të arsimit të lartë.
Duke u mbështetur në misionin dhe rolin e tij, Universiteti i Tetovës vazhdon të krijojë mundësi për
të rinjtë shqiptarë dhe jo vetëm, që të arsimohen dhe të formohen profesionalisht në mbi 100
programe dhe drejtime studimore. Oferta është hartuar në përputhje me zhvillimet bashkëkohore
dhe, në veçanti, me kërkesat gjithnjë në ndryshim të tregut të punës.
Universiteti i Tetovës synon që studentëve t’u ofrojë jo vetëm njohuri akademike, por edhe një
përgatitje profesionale e cila u mundëson atyre të jenë të gatshëm për sfidat e tregut modern të
punës dhe për zhvillimin e mëtejshëm të karrierës së tyre.
Procesi i regjistrimit në Universitetin e Tetovës zhvillohet me seriozitet dhe përgjegjësi të plotë. Për
këtë qëllim, është angazhuar administrata profesionale e Universitetit, e cila u ofron kandidatëve
mbështetjen dhe informacionin e nevojshëm gjatë gjithë procesit të aplikimit, në mënyrë që secili
prej tyre ta realizojë të drejtën për të aplikuar dhe për të zgjedhur fakultetin dhe programin ku
dëshiron të formohet profesionalisht.



