
Ujqërit e bardhë të shtunën kanë ikur nga hapësira e tyre dhe kanë mbytur katër kengurë të Kopshtit Zoologjik në Shkup si dhe disa shpendë emu, merr vesh Pets.mk.
Sipas burimeve të portalit, ujqërit e bardhë dyshohet se kanë arritur të gërmojnë një vrimë nën rrethojën e hapësirës së tyre dhe të arratisen, pas së cilës kanë sulmuar dhe kanë lënë të ngordhur disa kengurë dhe shpendë emu. Punonjësve të Kopshtit Zoologjik u janë dashur disa orë për t’i kapur ujqërit dhe për t’i kthyer ata në vendfolejen e tyre.
Shoqata për mbrojtjen e kafshëve Anima Mundi kërkon mbylljen urgjente të Kopshtit Zoologjik të Shkupit dhe kryerjen e një inspektimi të pavarur, ku të kontrollohen të gjitha habitatet, rrethojat, kafazet dhe sistemet e sigurisë, ndërsa gjetjet të publikohen. Kjo kërkesë vjen pasi në opinion u publikua informacioni se ujqërit kishin ikur nga habitati i tyre dhe kishin mbytur katër kangurë dhe disa shpendë.
Aktivistët kërkojnë një hetim të pavarur për arratisjen e ujqërve, vrasjen e kafshëve dhe përcaktimin e përgjegjësisë për të gjitha lëshimet, si dhe vendosjen e një moratoriumi për shumimin dhe sjelljen e kafshëve të reja derisa të sigurohen kushte që përmbushin standardet. Ata përsëritën gjithashtu kërkesën për mbylljen e Kopshtit Zoologjik të Shkupit dhe shndërrimin e tij në një qendër shpëtimi dhe rehabilitimi për kafshët.



