
Turqia ka përgatitur dhjetë limuzina të dizajnuara posaçërisht nga automjeti elektrik vendas Togg T10X, të cilat do të përdoren për transportin e liderëve gjatë Samitit të 36-të të NATO-s, që do të mbahet më 7 dhe 8 korrik në Ankara.
Automjetet e personalizuara janë shtuar në flotën protokollare dhe janë ekspozuar para qendrës së kongreseve ATO Congressium, ku do të zhvillohet samiti. Disa prej limuzinave janë në ngjyrat kuqe e bardhë të flamurit turk, ndërsa të tjera janë dekoruar me nuanca bruz dhe motive tradicionale.

Limuzinat pritet të përdoren për transportin e delegacioneve në distanca të shkurtra brenda zonës së samitit, me një shpejtësi rreth 50 kilometra në orë, si dhe përgjatë itinerareve të përcaktuara protokollare.
Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, do të presë në Ankara liderët e 32 vendeve anëtare të NATO-s, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump, presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministrin britanik Keir Starmer, kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe liderë të tjerë të aleancës.

Në kuadër të samitit, Erdogan pritet të zhvillojë edhe një takim kokë më kokë me Donald Trump, ndërsa në axhendë janë paraparë diskutime për mbrojtjen, sigurinë dhe sfidat rajonale, si dhe një sërë takimesh dypalëshe dhe konferencash për media.
Përveç liderëve të vendeve anëtare të NATO-s, samiti do të mbledhë rreth 100 ministra, diplomatë të lartë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe të ftuar të tjerë.



