
Etapa e katërt e Turit të Francës 2026, me gjatësi 181.9 kilometra nga Carcassonne në Foix, u vendos nga një arratisje e suksesshme, ndërsa danezi Mads Pedersen (Lidl-Trek) siguroi fitoren pas një sprinti të fuqishëm në fund.
Që në kilometrat e para u shkëput një grup prej 34 çiklistësh, ku bënin pjesë disa emra të njohur të pelotonit.
Grupi nuk arriti ta neutralizonte arratisjen, e cila krijoi një avantazh të konsiderueshëm gjatë gjithë etapës.
Në ngjitjen e fundit ritmi i lartë i skuadrës Lidl-Trek e reduktoi grupin kryesues në vetëm dhjetë çiklistë, duke i lënë ata të luftonin për suksesin e etapës.
Në sprintin final, Pedersen tregoi superioritet, duke lënë pas shokun e skuadrës Quinn Simmons, ndërsa vendi i tretë i takoi spanjollit Raul Garcia Pierna.
Për danezin ishte një rikthim i rëndësishëm, pasi regjistroi fitoren e tij të parë në Turin e Francës pas tre vitesh, falë edhe punës së shkëlqyer të skuadrës Lidl-Trek gjatë gjithë ditës. Ndërkohë, pelotoni me favoritët për klasifikimin e përgjithshëm mbërriti në finish me një vonesë prej 12 minutash e 58 sekondash, duke sjellë ndryshim në renditjen e përgjithshme.
Norvegjezi Torstein Traen (Uno-X Mobility), pjesë e arratisjes fituese, përfitoi nga diferenca e madhe dhe mori fanellën e verdhë të liderit, duke krijuar një avantazh prej afro tetë minutash ndaj favoritëve Tadej Pogaçar dhe Jonas Vingegard. Etapa e pestë do të zhvillohet sot nga Lannemezan drejt Pau, në një itinerar prej 158.3 kilometrash, ku pritet që sprinterët të kenë mundësinë e parë për të luftuar për fitoren.



