Qytetarë dhe punëtorë që çdo ditë përdorin transportin ndërurban u janë drejtuar me letër të hapur mediave dhe institucioneve kompetente, duke kërkuar shqyrtimin e çmimeve të transportit. Nga 1 shtatori, bileta mujore Tetovë-Shkup është rritur nga 5.500 në 6.500 denarë, Kumanovë-Shkup kushton 6.000 denarë, ndërsa Gostivar-Shkup arrin deri në 8.000 denarë. Për një punëtor me pagë prej 26.000 denarësh, vetëm transporti nga Gostivari deri në Shkup mund të marrë mbi 30 për qind të pagës mujore.
Deri në 8.000 denarë në muaj vetëm për të arritur në vendin e punës. Rritja e çmimeve të transportit ndërurban po shndërrohet në barrë gjithnjë e më të rëndë për mijëra qytetarë që çdo ditë udhëtojnë nga Tetova, Gostivari, Kumanova dhe qytete të tjera drejt Shkupit për punë apo shkollim.
Një grup qytetarësh dhe punëtorësh, përdorues të transportit ndërurban, përmes një letre të hapur drejtuar mediave, institucioneve kompetente dhe opinionit publik, kërkojnë që të hapet debati për çmimet gjithnjë e më të larta të biletave dhe ndikimin e tyre mbi standardin e familjeve.
Sipas tyre, problemi nuk mund të trajtohet më vetëm si çështje e çmimit të një bilete. “Kjo nuk është më vetëm çështje e biletës. Kjo është çështje e standardit jetësor, e së drejtës për punë dhe arsim dhe e zhvillimit të barabartë të qyteteve”, thuhet në letrën e hapur.
TETOVË-SHKUP, 6.500 DENARË NË MUAJ
Si një nga shembujt më konkretë përmendet relacioni Tetovë-Shkup. Sipas qytetarëve, nga 1 shtatori 2026 bileta mujore në këtë linjë është rritur nga 5.500 në 6.500 denarë. Kjo nënkupton 1.000 denarë shpenzime shtesë çdo muaj ose 12.000 denarë më shumë në vit.
Në total, një qytetar që paguan çdo muaj 6.500 denarë për këtë linjë shpenzon 78.000 denarë në vit vetëm për transportin për në punë dhe kthimin në shtëpi. Për një punëtor me pagë mujore prej 26.000 denarësh, bileta prej 6.500 denarësh përbën 25 për qind të gjithë pagës mujore. Por qytetarët theksojnë se problemi nuk kufizohet vetëm te Tetova.
Me të njëjtën situatë, sipas tyre, përballen punëtorët dhe studentët që udhëtojnë çdo ditë nga Kumanova, Velesi, Shtipi, Prilepi, Manastiri dhe qytete të tjera drejt vendeve ku punojnë ose studiojnë. Nëse një familje ka tre anëtarë që duhet të paguajnë nga 6.500 denarë në muaj për transport, shpenzimi arrin në 19.500 denarë në muaj ose 234.000 denarë në vit.
GOSTIVAR-SHKUP DERI NË 8.000 DENARË
Në relacionin Kumanovë-Shkup, sipas letrës, bileta mujore kushton 6.000 denarë. Kur këtij shpenzimi i shtohen ushqimi, faturat, strehimi dhe nevojat e tjera bazë, qytetarët thonë se transporti i përditshëm përbën një goditje serioze për buxhetin familjar. Edhe më i lartë është çmimi në relacionin Gostivar-Shkup.
Sipas të dhënave të paraqitura në letër, bileta mujore në këtë linjë arrin deri në 8.000 denarë, që nënkupton 96.000 denarë në vit vetëm për vajtje-ardhje në vendin e punës. Për një punëtor që merr pagë prej 26.000 denarësh, kjo shumë përbën mbi 30 për qind të pagës mujore. Kështu, varësisht nga qyteti prej nga udhëtojnë, qytetarët mund të shpenzojnë 6.000, 6.500 apo 8.000 denarë çdo muaj vetëm për të arritur në punë apo në institucionin ku studiojnë.
TETOVË-SHKUP 6.500 DENARË, SHKUP-KATLLANOVË 1.600
Një nga çështjet kryesore që ngrenë qytetarët është mënyra se si formohen çmimet e transportit ndërurban. Ata kërkojnë të dinë mbi cilët parametra ekonomikë është përcaktuar, për shembull, çmimi prej 6.500 denarësh në linjën Tetovë-Shkup, nëse rritja është proporcionale me rritjen reale të shpenzimeve të transportuesve dhe cili institucion kontrollon arsyeshmërinë dhe ligjshmërinë e këtyre çmimeve.
Në letër sillet edhe një krahasim mes dy linjave me distancë të përafërt. Sipas tyre, bileta mujore Shkup-Katllanovë, për një distancë prej rreth 35 kilometrash, kushton 1.600 denarë, ndërsa Tetovë-Shkup, me distancë rreth 40 kilometra, kushton 6.500 denarë.
Diferenca arrin në 4.900 denarë në muaj ose 58.800 denarë në vit, pavarësisht distancës relativisht të ngjashme.
Qytetarët e shohin një nga shpjegimet te ekzistenca e transportit publik në linjën Shkup-Katllanovë, ndërsa udhëtarët Tetovë-Shkup, sipas tyre, praktikisht varen nga transportuesit privatë ndërurbanë. “Pse qytetarët në një linjë kanë në dispozicion alternativë publike, ndërsa qytetarët në një linjë tjetër janë të detyruar të përdorin transport privat dhe të paguajnë çmimin e tij?”, pyesin ata.
“NJË VEND PUNE ËSHTË VEND PUNE”
Në letër ngrihet edhe çështja e kompensimit të shpenzimeve për transportin e punëtorëve. Qytetarët theksojnë se në Shkup, përmes biletës mujore të transportit urban, mund të përdoren linja të shumta në gjithë qytetin, ndërsa një punëtor që udhëton nga një qytet tjetër mund të paguajë 6.500 denarë vetëm për një relacion ndërurban.
Në sektorë të ndryshëm ekzistojnë mekanizma për kompensimin e transportit për në punë dhe nga puna, por, sipas tyre, këto nuk janë të rregulluara në mënyrë të barabartë për të gjithë punëtorët.
Për këtë arsye, ata shtrojnë pyetjen nëse sistemi aktual merr parasysh shpenzimin real të qytetarëve që udhëtojnë çdo ditë mes qyteteve. Si shembull përmenden edhe deputetët që jetojnë jashtë Shkupit dhe mekanizmat ligjorë për kompensimin e shpenzimeve të caktuara të udhëtimit.
Duke iu referuar të dhënave të Radio Evropa e Lirë, të siguruara nga Kuvendi, në letër thuhet se në periudhën 28 maj 2024 – 30 qershor 2025, 65 deputetëve u janë paguar 18,6 milionë denarë për karburant dhe pagesa rrugore.
“Nuk po e parashtrojmë këtë për t’i sulmuar deputetët, por për të pyetur nëse ekziston një sistem mjaftueshëm i drejtë për punëtorët që udhëtojnë çdo ditë mes qyteteve”, theksojnë qytetarët. Sipas tyre, vendi i punës është vend pune dhe shpenzimi për të arritur deri atje nuk duhet të krijojë pabarazi vetëm për shkak të qytetit ku jeton punëtori.
TRANSPORTI I SHTRENJTË, PRESION SHTESË PËR SHPËRNGULJE
Një tjetër dimension që ngrenë qytetarët është ndikimi demografik i transportit gjithnjë e më të shtrenjtë. Kur vajtje-ardhja e përditshme kushton mijëra denarë në muaj, punëtorët dhe studentët, sipas tyre, vendosen përballë dy alternativave: të vazhdojnë të paguajnë një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave për transport ose të shpërngulen në qytetin ku punojnë apo studiojnë.
“Kjo paraqet problem social, ekonomik dhe demografik. Nuk duam që qytetet jashtë Shkupit të zbrazen, por as Shkupi të ngarkohet”, thuhet në letër.
Qytetarët thonë se duhet të ekzistojnë kushte që një person të mund të vazhdojë të jetojë në qytetin e tij dhe njëkohësisht të punojë apo studiojë në një qytet tjetër, pa u shndërruar transporti në pengesë ekonomike. Veçanërisht të prekura janë familjet ku më shumë anëtarë udhëtojnë çdo ditë – për shembull, një prind që punon në një qytet tjetër dhe një ose dy fëmijë që studiojnë jashtë vendbanimit të tyre.
GJASHTË KËRKESA PËR INSTITUCIONET
Qytetarët theksojnë se nuk kërkojnë privilegje, por një sistem më të drejtë dhe transport ndërurban të përballueshëm.
Nga institucionet kompetente kërkojnë që të shqyrtohet rritja e fundit e çmimeve dhe të shpjegohet publikisht arsyeshmëria e saj; të publikohen kriteret ekonomike dhe ligjore sipas të cilave formohen çmimet; të kontrollohet respektimi i detyrimeve ligjore për çmimet dhe informimin e udhëtarëve; të shqyrtohet konkurrenca në linjat më të frekuentuara ndërurbane; të sigurohet transport publik ndërurban funksional dhe i përballueshëm, përfshirë mundësinë e biletave të subvencionuara dhe familjare; si dhe të harmonizohet sistemi i kompensimit të shpenzimeve të udhëtimit, në mënyrë që ai të marrë parasysh koston reale të vajtje-ardhjes në punë.
“Nuk është e drejtë që mjetet e parapara për transport t’i mbulojnë shpenzimet e transportit urban për punëtorët në Shkup, ndërsa punëtorët që udhëtojnë çdo ditë nga një qytet tjetër në vendin e tyre të punës të mbeten me shpenzime personale dukshëm më të larta”, thuhet në letër.
Ata kërkojnë një sistem ku kompensimi i transportit të ndjekë shpenzimet reale dhe punëtorët të mos vendosen në pozitë të pafavorshme vetëm sepse jetojnë jashtë qytetit ku punojnë.
A DUHET TË SHPËRNGULESH NË SHKUP QË TË MUND TË PUNOSH?
Në fund, qytetarët u drejtohen drejtpërdrejt mediave, duke kërkuar që çështja të hulumtohet dhe pyetjet t’u parashtrohen transportuesve, institucioneve përgjegjëse dhe Qeverisë. “Nuk kërkojmë që paraprakisht të merrni anën e pasagjerëve. Po ju kërkojmë ta parashtroni pyetjen”, thuhet në apel.
Ata kërkojnë që transportuesit të sqarojnë mënyrën e formimit të çmimeve, institucionet të tregojnë se kush e kontrollon arsyeshmërinë e tyre, ndërsa Qeveria të përgjigjet se përse qytetarët që punojnë dhe studiojnë në qytete të tjera nuk kanë në dispozicion transport ndërurban publik, funksional dhe të përballueshëm.
Në fund të letrës, qytetarët shtrojnë pyetjen që, sipas tyre, përmbledh gjithë problemin: “A duam një shtet në të cilin një person duhet të shpërngulet në Shkup që të mund të punojë apo të studiojë atje?”
“Nuk duam të shpërngulemi. Duam të jemi në mundësi të punojmë dhe të studiojmë”, përfundon letra e hapur e qytetarëve dhe punëtorëve që përdorin transportin ndërurban.


