Por mes dy mesazheve politike mbetet një realitet i pakëndshëm: vendi ende nuk ka hapur as klasterin e parë të negociatave, ndërsa Shqipëria dhe Mali i Zi kanë avancuar ndjeshëm më tej.
35 vjet pas pavarësisë, Maqedonia e Veriut ende qëndron para derës së Bashkimit Evropian, ndërsa fqinjët tashmë kanë nisur të hyjnë brenda. Përplasja politike për rrugën evropiane po merr një dimension të ri: opozita akuzon pushtetin se po humb kohë dhe gjenerata, ndërsa Qeveria këmbëngul se vendi mbetet fuqishëm i orientuar drejt BE-së dhe kërkon mbështetje më të madhe nga Brukseli.
Në të njëjtën ditë kur kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, e cilësoi kohën e humbur si koston më të shtrenjtë të shtetit, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, nga Dublini përsëriti se Maqedonia e Veriut është e gatshme për reforma dhe integrim. Por mes dy mesazheve politike mbetet një realitet i pakëndshëm: vendi ende nuk ka hapur as klasterin e parë të negociatave, ndërsa Shqipëria dhe Mali i Zi kanë avancuar ndjeshëm më tej.
MAQEDONIA PO HUMB GJENERATA
Në ceremoninë me rastin e 35-vjetorit të pavarësisë, në Filharmoninë e Maqedonisë, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, tha se vendi ka humbur shumë kohë në rrugën drejt BE-së. “Maqedonia humb kohë, ndërsa me kohën e humbur i humb edhe gjeneratat. Gjëja më e shtrenjtë në një jetë njerëzore është pikërisht koha e humbur”, tha Filipçe. Ai e krahasoi pozitën e Maqedonisë së Veriut me atë të fqinjëve, duke theksuar se Shqipëria deri në fund të vitit 2025 kishte hapur të 33 kapitujt negociues, ndërsa në korrik të këtij viti kishte nisur edhe me mbylljen e tyre.
Mali i Zi, sipas tij, deri më 14 korrik kishte 18 kapituj të mbyllur përkohësisht. “Maqedonia, e cila dikur ishte para tyre në rrugën evropiane, ende pret ta hapë klasterin e parë. Ky është fakt nga i cili nuk ka strehim në retorikën patriotike”, deklaroi Filipçe.
Sipas tij, qytetarët në fund do të shohin se kush ecën përpara dhe kush qëndron në vend ose kthehet prapa. “Mund të shpjegoni çdo ditë se keni fituar duke mos bërë asgjë. Por qytetari në fund do të shohë kush ecën përpara dhe kush qëndron në vend apo kthehet prapa”, tha ai.
“KJO NUK ËSHTË MË TAKTIKË DIPLOMATIKE”
Filipçe tha se dy vitet e fundit Qeveria e ka bindur opinionin se do të sigurojë kushte të reja dhe pozitë më të mirë negociuese, por se pozicioni evropian, sipas tij, ka mbetur i pandryshuar. “Në ndërkohë fqinjët hapin dhe mbyllin kapituj. Këto nuk janë vetëm kapituj. Janë reforma të suksesshme dhe të vështira, të cilat shpesh nuk janë të popullarizuara. Kjo nuk është më taktikë diplomatike. Kjo është kohë e humbur”, tha lideri i LSDM-së. Ai theksoi se integrimi evropian nuk duhet të jetë pronë e asnjë partie politike, por interes strategjik i shtetit.
“Integrimi evropian nuk i përket LSDM-së. Nuk i përket VMRO-DPMNE-së. Nuk i përket asnjë presidenti, kryeministri apo ministri. Ai është interesi më i madh shtetëror”, tha Filipçe. Sipas tij, pas procesit të integrimit evropian qëndrojnë institucione funksionale, gjyqësor i pavarur, administratë që u shërben qytetarëve, mjedis më i pastër, infrastrukturë më e mirë, konkurrueshmëri më e madhe e kompanive dhe më shumë fonde evropiane për arsimin, energjetikën dhe digjitalizimin.
“Formula është e thjeshtë: reformë, rezultat, mjete, jetë më e mirë”, tha Filipçe. Ai paralajmëroi se vendi nuk ka më kohë për shtyrje të reja. “Pa dekada të reja të humbura. Pa prodhim të tradhtarëve për çdo kompromis të vështirë. Pa patriotizëm të rremë që është më i zëshmi para kamerave, por i pafuqishëm dhe frikacak kur duhet të prodhohet rezultat”, tha Filipçe.
EVROPA ËSHTË DOMOSDOSHMËRI GJEOPOLITIKE
Në anën tjetër, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, në takimin joformal të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së në Dublin, theksoi se zgjerimi evropian nuk është më vetëm zgjedhje politike. Sipas tij, zgjerimi është “domosdoshmëri gjeopolitike dhe investim në sigurinë, stabilitetin dhe konkurrueshmërinë e Evropës”. Sali theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj integrimit evropian, zbatimit të reformave dhe harmonizimit me vlerat dhe politikat e BE-së. Ai e cilësoi Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim si një prej shtyllave kryesore të transformimit evropian të vendit, por pranoi se sfida kryesore mbetet zbatimi efektiv i reformave, veçanërisht në sundimin e ligjit, gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe administratën publike.
Sali përshëndeti vizionin e komisioneres evropiane për Zgjerim, Marta Kos, për një model më ambicioz të integrimit gradual, përmes të cilit vendet kandidate do të mund të përfshihen më herët në politikat, programet dhe pjesë të Tregut të Vetëm të BE-së. Sipas tij, integrimi gradual duhet të sjellë përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset dhe të rrisë besimin në proces, ndërsa anëtarësimi i plotë në BE mbetet objektivi përfundimtar.
Ministri kërkoi gjithashtu mbështetje më të koordinuar nga vendet anëtare përmes ekspertizës, programeve TAIEX dhe Twinning, si dhe angazhimit afatgjatë të ekspertëve evropianë në institucionet vendase. “Maqedonia e Veriut e ka zgjedhur Evropën. Ne jemi të gatshëm ta bëjmë pjesën tonë dhe presim që përkushtimi, reformat dhe rezultatet të njihen me progres. Investimi në kapacitetet tona është investim në një shtet të ardhshëm anëtar dhe në një Evropë më të fortë”, theksoi Sali.


