Maqedonia e Veriut sot zyrtarisht iu bashkua Korridorit Vertikal të gazit, transmeton Anadolu.
Memorandumin e mirëkuptimit për anëtarësimin në iniciativën “Korridori Vertikal” e nënshkroi sot në Selanik drejtori ekzekutiv i SHA NOMAGAS Shkup, Nedim Rama, në prani të ministres së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, në kuadër të Forumit të 10-të të Energjisë të Evropës Juglindore (SEEF).
Me anëtarësimin në Korridorin Vertikal, Maqedonia e Veriut bëhet pjesë e bashkëpunimit rajonal për ndërlidhjen e sistemeve të transmetimit të gazit natyror në Evropën Juglindore dhe Qendrore. Nisma lidh sistemet e gazit të Greqisë, Bullgarisë, Rumanisë, Hungarisë, Sllovakisë, Ukrainës, Moldavisë dhe Serbisë, duke krijuar një aks më të gjerë për transmetimin e gazit natyror në drejtimin jug-veri.
Siç tha ministrja Bozhinovska para nënshkrimit, Korridori Vertikal i energjisë nuk është vetëm infrastrukturë e gazsjellësit, por përfaqëson arkitekturën e re të sigurisë, ekonomike dhe gjeostrategjike të Evropës Juglindore.
“Jam jashtëzakonisht krenare të theksoj se, pas përpjekjeve intensive diplomatike, Maqedonia e Veriut zyrtarisht i bashkohet Korridorit Vertikal të gazit. Ky është një moment historik përmes të cilit, pas plot tri dekadash, i japim fund varësisë sonë të plotë nga një rrugë e vetme e gazit”, tha ministrja.
Bozhinovska tha se interkonektori me Greqinë pritet të jetë funksional në vitin 2027, me një kapacitet fillestar prej 1,4 miliard metra kub gaz natyror në vit, i cili në të ardhmen mund të dyfishohet në 2,8 miliardë metra kub. Ajo shtoi se vendi planifikon edhe një interkonektor 23 kilometra të gjatë me Serbinë, me synimin që Maqedonia e Veriut të bëhet qendër e rëndësishme tranziti energjetik.


