
Futbolli ugandez është në zi pas vdekjes tragjike të David Oworit, një prej futbollistëve më të njohur të vendit, i cili humbi jetën në moshën 27-vjeçare pasi u sulmua brutalisht nga persona të dyshuar si grabitës pranë banesës së tij në Kampala.
Sipas policisë, ngjarja ndodhi të martën në mbrëmje, kur Owori u përball me autorët, të cilët tentuan t’i grabisnin telefonin celular dhe sendet personale. Futbollisti dyshohet se bëri rezistencë, ndërsa sulmuesit e goditën me gurë trotuari, duke i shkaktuar plagë të rënda.
Dëshmitarët treguan se autorët u larguan menjëherë nga vendngjarja, duke e lënë 27-vjeçarin pa ndjenja. Ai u transportua fillimisht në një klinikë pranë zonës dhe më pas në një spital privat në Kampala, por nuk mundi t’u mbijetonte plagëve, duke ndërruar jetë të mërkurën.
David Owori ishte kapiten i SC Villa, klubit më të suksesshëm në histoinë e kampionatit ugandez, ku aktivizohej si mbrojtës i djathtë dhe mesfushor. Ai ishte gjithashtu pjesë e kombëtares së Ugandës, e njohur si “The Cranes”, dhe konsiderohej një nga futbollistët më të rëndësishëm të brezit të tij.
Në një reagim zyrtar, SC Villa e cilësoi humbjen e tij si shumë më tepër sesa largimi i një futbollisti.
“Ne kemi humbur më shumë se një lojtar. Kemi humbur një lider, një vëlla dhe një mik”, thuhet në deklaratën e klubit.
Edhe Federata e Futbollit të Ugandës i bëri homazhe Oworit, duke e përshkruar si një lider të vërtetë brenda dhe jashtë fushës, ndërsa kombëtarja e vendit theksoi se Uganda ka humbur një futbollist që mbante mbi supe shpresat e tifozëve.
Owori u rikthye te SC Villa në vitin 2023 për një eksperiencë të dytë me klubin dhe ishte një nga lojtarët me më shumë eksperiencë në skuadër. Ai udhëhoqi ekipin drejt titullit kampion në vitin 2024, trofeu i parë për klubin pas 20 vitesh dhe i 17-ti në historinë e tij. Falë paraqitjeve të shkëlqyera, kontrata e tij ishte zgjatur deri në janar të vitit 2027.
Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve, ndërsa vrasja e futbollistit ka shkaktuar zemërim të madh në Ugandë. Në rrjetet sociale qytetarët kanë kërkuar masa më të forta kundër kriminalitetit në Kampala, ndërsa Parlamenti ugandez mbajti një minutë heshtje në nder të futbollistit dhe kërkoi zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes.
Vdekja e David Oworit vjen vetëm pak javë pasi sporti ugandez u trondit edhe nga humbja e lojtarit të regbisë, Sydney Gongodyo, i cili gjithashtu u vra në një sulm në kryeqytetin Kampala.



