KurioziteteLajmeRajon

Tradita shekullore e synetisë kolektive në Prizren: Më parë ua priste ZyIfikari pa anestezion, tash kirurgu

Dënesa e shokut të tij nga dhoma sipër i përshkonte në mendje vetëm një pyetje “a do të më dhemb edhe mua pas pak, kur të bëhem synet?”

Të martën në fshatin Lubinjë e Poshtme të Prizrenit u bënë synet mbi 70 djem.

“Synet” në arabisht do të thotë traditë e profetit Muhamed. Por, ky zakon fetar është inkorporuar edhe në traditën shqiptare. E arsyeja pse rrethprerja bëhet në mënyrë kolektive, ka karakter ekonomik.

“Për shkak se jo të gjithë njerëzit kanë pasur kushte ta organizojnë Festën e Synetisë, fshatarët kanë vendosur që të kursejnë duke bërë fëmijët synet në mënyrë kolektive” – thotë Zyrap Shaipi

Festa e Synetisë është traditë e këtij fshati për më shumë se 100 vjet, megjithatë disa gjëra kanë ndryshuar.

Më parë, këtë procedurë e kryente berberi Zylfikar Shishko nga Prizreni. Pra, z. Zylfikar përveç që ka ditur të rruajë e të qethë, edhe i ka bërë fëmijët synet. Ndërsa sot, rrethprerjen e bën kirurgu.

“Ka qenë berber, ai nuk ka pasur as anestezion. Edhe unë kur kam qenë fëmijë, më ka bërë synet berberi” – vazhdon Shaipi.

Fëmijët që bëhen synet, vishen me rroba festive dhe dallohen nga fëmijët e tjerë. Ndërsa zhurma e të qarave të fëmijëve mbytet nga muzika që mbizotëron në oborr.

Fotografi i Nacionales, Valdrin Xhemaj, e ka përcjellë për tri ditë me radhë ceremoninë e organizuar në këtë fshat.

Pas dhimbjeve dhe të qarave, fëmijët 3-7 vjeçar, me lot në sy gëzojnë të hollat që të afërmit ua dhurojnë.

Nëpër rrugët e ngushta të fshatit, nën zhurmën e surleve dhe tupanëve, hoxha dhe banorët e tjerë – shumica mërgimtarë – shkojnë nëpër çdo shtëpi ku fëmija është bërë synet, për t’i kryer ritualet fetare.

Secila nga familjet paguan nga 300 euro për të marrë pjesë në këtë ceremoni tradicionale.

“300 eurot nuk janë vetëm për syneti. Bëhet pagesa e kirurgut, tupanëve dhe dreka kolektive” – tregon Shaipi.

Festa zgjat tri ditë dhe pos drekës kolektive, fshati organizon edhe lojëra si; tërheqja e litarit, mundja e pehlivanëve, hedhja e gjyles, vrapimi etj.

Fshati me 400 shtëpi që po zbrazet dita-ditës, ka premtuar se do ta ruajë këtë traditë mbi 100-vjeçare.

Related Articles

Back to top button
Close
Close