
Komisioni Europian ka gjobitur Google me 890 milionë euro për shkelje të Aktit të Tregjeve Digjitale. Sipas Brukselit, kompania favorizoi shërbimet e veta në motorin e kërkimit dhe vendosi kufizime të padrejta për zhvilluesit e aplikacioneve në Google Play.
Komisioni Europian ka konstatuar se Google ka shkelur Aktin e Tregjeve Digjitale (DMA) në dy raste dhe i ka vendosur kompanisë gjoba që arrijnë në 890 milionë euro. Gjoba e parë, prej 460 milionë eurosh, lidhet me mënyrën se si Google favorizon shërbimet e veta në rezultatet e kërkimit, si Google Shopping, hotelet, transporti dhe rezultatet sportive, duke u dhënë atyre më shumë dukshmëri sesa platformat konkurruese. Sipas Komisionit, kjo praktikë dëmton konkurrencën, pasi shërbimet e palëve të treta nuk trajtohen në mënyrë të barabartë në renditjen e rezultateve.
Gjoba e dytë, prej 430 milionë eurosh, ka të bëjë me rregullat e Google Play. Brukseli vlerëson se Google i ka penguar zhvilluesit e aplikacioneve të informojnë përdoruesit për oferta më të lira jashtë platformës Google Play ose t’i drejtojnë ata drejt faqeve të tyre apo dyqaneve alternative të aplikacioneve.
Komisioni Europian i ka kërkuar Google të ndalojë këto praktika dhe të zbatojë ndryshimet e nevojshme brenda 60 ditëve. Në të kundërt, kompania rrezikon gjoba shtesë periodike deri në 5% të xhiros së saj globale ditore.
Brukseli bëri të ditur se Google ka nisur testimin e disa ndryshimeve në mënyrën e paraqitjes së rezultateve të kërkimit dhe reklamave, si edhe në rregullat e Google Play, por këto masa do të vlerësohen nëse janë të mjaftueshme për të respektuar ligjin.


