
Përplasja mes kapitenit dhe mesfushorit të Interit nisi në mënyrë publike – përmes intervistave, rrjeteve sociale dhe reagimeve të menjëhershme – por të dy lojtarët tani kanë tentuar të sqarojnë pozicionet e tyre në mënyrë private, larg vëmendjes së publikut.
Megjithatë, nuk bëhet fjalë për një pajtim të plotë. Marrëdhënia mbetet e tendosur, por biseda ka shërbyer për të shpjeguar origjinën e deklaratave dhe reagimeve që krijuan një atmosferë të rënduar te Interi. Në mes të kësaj përplasjeje qëndrojnë edhe trajneri Cristian Chivu dhe drejtuesit e klubit, të cilët besojnë se gjithçka mund dhe duhej të menaxhohej brenda dhomave të zhveshjes.
Like-u i Marcus Thuram, i lënë në një postim kritik ndaj Lautaros dhe ende i paparë, ka hedhur më shumë benzinë mbi zjarrin, duke krijuar një tension që, sipas drejtuesve të Interit, po ndikon negativisht edhe në merkaton verore.
Por telefoni në zyrat e Interit nuk është “i nxehtë” vetëm për përplasjen Lautaro-Calhanoglu. Në ditët në vijim pritet një tjetër kontakt kyç: drejtuesit zikaltër do të takohen me Gordon Stipic, agjentin e Calhanoglu-t, i cili është duke punuar për transferimin e tij te Galatasaray.
Deri tani, lojtari nuk është shprehur hapur për një largim, duke preferuar të qëndrojë në një pozitë neutrale. Në rrjetet sociale ka lënë një koment të paqartë: “Do të shohim”, që mund të lexohet në shumë mënyra – një lëvizje që i lë dyert hapur për çdo skenar.
Nga ana tjetër, Interi e ka bërë të qartë që nuk do ta lejojë largimin pa një shumë të konsiderueshme: klubi nuk pranon as largim me parametra zero dhe as një ofertë të ulët. Gjithsesi, ka një zhvillim të ri: çmimi i mesfushorit është ulur nga 35-40 milionë euro në rreth 30 milionë euro.
Nëse Galatasaray e arrin këtë shifër, negociatat mund të hapen zyrtarisht – dhe madje të mbyllen me shpejtësi.