
Vendkalimi kufitar Tabanoc, në kufirin ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, është pajisur me tabela të reja shtetërore, por pa mbishkrime në gjuhën shqipe, ndonëse ajo është gjuhë zyrtare në vend.
Tabelat, të vendosura nga Ndërmarrja Publike Rrugët Shtetërore, janë të shkruara vetëm në maqedonisht, anglisht dhe frëngjisht, duke lënë jashtë gjuhën shqipe. Ky veprim ka nxitur reagime të ashpra në opinion, ndërsa ka reaguar edhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).
Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, e ka cilësuar këtë si një veprim shqetësues që prek barazinë dhe përfaqësimin e shqiptarëve në shtet.
“Sot, pa fije shqetësimi, u vendosën tabela shtetërore pa gjuhën shqipe në Tabanoc. Ndoshta dikush mendon se po e shoh këtë si mundësi për opozitarizëm. Sinqerisht, sot nuk kam as vullnet e as dëshirë për politikë. Jam jashtëzakonisht i dëshpëruar dhe i shqetësuar. Sepse gjuha shqipe nuk është e një partie. Është e jona. Është ajo që na tregon se edhe ne i përkasim këtij shteti, se edhe ky shtet është i yni”, ka shkruar Osmani.
Ai u është drejtuar edhe qytetarëve shqiptarë që kanë mbështetur VLEN-in, si dhe qytetarëve maqedonas, duke i ftuar të mos heshtin përballë këtij veprimi.
“Po ju drejtohem edhe juve që e keni mbështetur VLEN-in. Po ju drejtohem edhe miqve të mi maqedonas që po heshtin. Sot po hiqet prezenca jonë nga dyert e shtetit. A do ta normalizojmë këtë marrëzi?”, është shprehur Osmani.



