LajmeMaqedoni

Raporti për Maqedoninë: Reformat në letër, korrupsioni në terren

Sipas Transparency International – Maqedoni, raporti i Komisionit Evropian është ndër “ngjarjet më të errëta” të muajit korrik, pasi përshkruan një situatë ku ndryshimet ligjore dhe deklaratat politike nuk shoqërohen me përmirësime reale në funksionimin e sistemit. Komisioni Evropian vëren se problemi nuk është një kthim i hapur prapa, por një stagnim i maskuar si reformë.

Reforma që ekzistojnë në dokumente, por nuk japin rezultate në terren. Një sistem drejtësie me besim gjithnjë e më të ulët, institucione të dobësuara financiarisht dhe raste të profilit të lartë që përfundojnë pa epilog gjyqësor. Kjo është tabloja që del nga Barometri i Korrupsionit për muajin korrik 2026, i publikuar nga Transparency International – Maqedoni.  Në qendër të raportit janë gjetjet e Komisionit Evropian për sundimin e ligjit, të cilat evidentojnë stagnim në reformat e drejtësisë dhe rënie të besimit të qytetarëve në institucionet që duhet të garantojnë sundimin e ligjit.

Sipas Transparency International – Maqedoni, raporti i Komisionit Evropian është ndër “ngjarjet më të errëta” të muajit korrik, pasi përshkruan një situatë ku ndryshimet ligjore dhe deklaratat politike nuk shoqërohen me përmirësime reale në funksionimin e sistemit.

STAGNIM I MASKUAR SI REFORMË

Komisioni Evropian vëren se problemi nuk është një kthim i hapur prapa, por një stagnim i maskuar si reformë. Në raport theksohet se besimi i qytetarëve në pavarësinë e gjyqësorit ka rënë ndjeshëm. Vetëm 21 për qind e qytetarëve dhe 19 për qind e kompanive besojnë se gjykatat janë të pavarura, ndërsa një vit më parë këto shifra ishin 28 dhe 26 për qind. Brukseli evidenton edhe presionet ndaj sistemit të drejtësisë, duke theksuar se përfaqësues të zgjedhur kanë intensifikuar sulmet publike ndaj gjykatësve dhe prokurorëve, ndërsa janë regjistruar edhe deklarata politike për “pastrimin” e gjyqësorit.

“Komisioni Evropian vlerëson se ndërhyrjet dhe presionet nga degët e tjera të pushtetit vazhdojnë të ndikojnë në perceptimin për pavarësinë e drejtësisë. Sulmet personale ndaj gjykatësve dhe prokurorëve nga funksionarë të zgjedhur kanë rritur shqetësimin për integritetin e sistemit gjyqësor”, thuhet në raport.

Problemet nuk janë vetëm në aspektin e besimit, por edhe në kapacitetet reale të institucioneve. Gjyqësori dhe prokuroria vazhdojnë të funksionojnë me mjete financiare nën minimumin ligjor. Buxheti i tyre arrin vetëm 0,28 për qind të BPV-së, përballë 0,8 për qind që parashihet me ligj. Situata kadrovike është po ashtu alarmante. Akademia për Gjykatës dhe Prokurorë anuloi pranimin e 130 kandidatëve të rinj për shkak të mungesës së fondeve.

“Gjyqësori dhe prokuroria vazhdojnë të funksionojnë me buxhet nën gjysmën e minimumit të përcaktuar me ligj. Edhe më shqetësues është fakti se Akademia për Gjykatës dhe Prokurorë ka anuluar pranimin e 130 kandidatëve të rinj, që do të thotë se vendi nuk do të ketë gjykatës dhe prokurorë të rinj para vitit 2028”, theksohet në raport.

Edhe lufta kundër korrupsionit mbetet një sfidë e pazgjidhur. Zbatimi i Strategjisë Kombëtare Kundër Korrupsionit për vitin 2025 ka realizim të ulët, me vetëm 23 për qind të aktiviteteve të përfunduara plotësisht. Ndryshimet në Kodin Penal, sipas Komisionit Evropian, nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme. Ulja e dënimeve për format më të rënda të keqpërdorimit të pozitës zyrtare ka ndikuar në shkurtimin e afateve të parashkrimit, duke lënë më pak kohë për hetimin e rasteve komplekse. Si pasojë, raporti flet për një ndjenjë të pandëshkueshmërisë, pasi rastet e profilit të lartë rrallë përfundojnë me vendime të formës së prerë.

GOSTIVARI – ALARMI PËR DËSHTIMIN INSTITUCIONAL

Në mesin e “ngjarjeve të errëta” të korrikut, raporti vendos edhe krizën me ujin në Gostivar. Rasti, i cili u shoqërua me shpalljen e epidemisë dhe mijëra qytetarë që kërkuan ndihmë mjekësore për probleme gastrointestinale, ngriti pikëpyetje për funksionimin e institucioneve. Sipas gjetjeve fillestare, ndërmarrja “Komunalec” kishte përdorur pompa të lidhura mes sistemit të kanalizimit dhe ujësjellësit me qëllim rritjen e presionit, duke shkaktuar ndotjen e ujit të pijshëm.

“Mënyra se si institucionet kanë vepruar, apo nuk kanë vepruar, ngre pyetje serioze për përgjegjësinë institucionale dhe për respektimin e detyrimeve ligjore për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Ndotja e ujit në rrjetin e ujësjellësit të Gostivarit nuk është vetëm një incident i izoluar, por një tregues i dobësive të mundshme sistemore”, vlerëson Grupi Blueprint për reforma në drejtësi.

Raporti rikthen në vëmendje edhe rastet gjyqësore që kanë shkaktuar debate publike, si “Talir 2”, ku ishte i akuzuar ish-kryeministri Nikolla Gruevski, si dhe rasti “Total”, ku u lirua gazetari Dragan Pavlloviq-Latas. Sipas Transparency International, një rast i vetëm i parashkrimit nuk mund të konsiderohet domosdoshmërisht problem sistemor, por kur shumë lëndë me interes publik përfundojnë pa epilog për shkak të kalimit të afateve, atëherë lind pyetja për efikasitetin e institucioneve. “Pyetja kryesore nuk është më vetëm nëse dikush është fajtor apo i pafajshëm. Pyetja është nëse shteti arrin në kohë ta përcaktojë përgjegjësinë eventuale penale”, thuhet në raport.

Ndër ngjarjet problematike përfshihet edhe vështirësimi i qasjes në informacionet me karakter publik, pas kërkesës për nënshkrim elektronik në procedurat e ankesave, si dhe emërimi i ushtruesve të detyrës në disa gjykata. Në anën tjetër, raporti evidenton edhe disa zhvillime pozitive. Në mesin e tyre janë aktakuza ndaj drejtorit të Inspektoratit për Bujqësi, i dyshuar për kërkim të 100 mijë eurove ryshfet për import të plehut artificial, arrestimi i dy stomatologëve në rastin “Botoks”, arrestimi i një zyrtari të Agjencisë për Punësim në Prilep për marrje ryshfeti, si dhe hetimi ndaj një docenteje nga Universiteti i Shtipit për dyshime për kërkim ryshfeti ndaj një studenti.

Related Articles

Back to top button
Close
Close