
Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, ka zhvilluar takim me drejtorin e Teatrit të Tetovës, Hasim Memishi-Sopi, ku në fokus kanë qenë puna aktuale e institucionit, programi artistik dhe sfidat me të cilat përballet teatri.
Gjatë takimit është diskutuar për nevojën e krijimit të kushteve më të mira infrastrukturore për artistët dhe realizimin e produksioneve teatrore, si dhe për fuqizimin e repertorit dhe mbështetjen e krijimtarisë së re.
Teatri i Tetovës ndër vite është afirmuar si një prej institucioneve të rëndësishme teatrore në vend, me produksione të suksesshme dhe pjesëmarrje të vazhdueshme në festivale dhe skena teatrore brenda dhe jashtë vendit.
Një tjetër temë e diskutimit ishte avancimi i bashkëpunimit me teatro dhe festivale në vend dhe në rajon, me synim rritjen e prezencës së Teatrit të Tetovës në skenën teatrore.
Ministri Sulejmani theksoi se Ministria e Kulturës dhe Turizmit mbetet e përkushtuar në krijimin e kushteve që teatrot të shërbejnë si hapësira për ide të reja, zhvillimin e artistëve dhe ndërtimin e një raporti të qëndrueshëm me publikun.
Sipas ministrit, mbështetja për institucionet kulturore dhe zhvillimin e tyre do të vazhdojë përmes politikave konkrete, partneritetit dhe rezultateve.



