
Pas më shumë se një vit fëmijët me nevoja të veçanta në komunën e Strugës do ti rikthehen edukimit dhe socializimit. Qendra ditore “Klubi i fëmijëve të veçantë” ka kapacitet maksimal për 25 fëmijë.
“Me idenë fillova para një viti e gjysmë, duhej shumë të presim, duhej të gjejmë formë si dhe në çfarë mënyre, me cilët partnerë, megjithatë arritëm ta hapim qendrën. Kapaciteti është prej 20 deri në 25 fëmijë, momentalisht kemi 8 deri në 10 fëmijë që tashmë kanë nisur këtu, mendoj që brenda javëve do të kemi edhe fëmijë të tjerë. Kemi 3 edukatore me psikolog, do të kemi dikë që do menaxhojë këtu.”, – deklaroi themeluesi i OJQ “Kujdes për fëmijët me nevoja të veçanta”, Ergin Borova.
Gjithçka që është bërë deri më tani në qendrën ditore, është bërë nga vullnetarët.
“Të japim një mesazh se një dëshirë e vërtetë dhe një iniciativë qytetare, mund të arrihet. U formua organizata, filluam me aktivitetet. Pas kësaj janë shumë njerëz, kur panë entuziazmin, të gjithë ofruan të ndihmonin.”, – tha një vullnetare, Edi Kela.
Struga më herët kishte një qendër ditore ku qëndronin rreth 20 fëmijë. Por, siç ju kemi informuar edhe më herët, para një vit e gjysmë, komuna ndërpreu financimin e qendrës, sipas tyre për shkak të një keqkuptimi në menaxhim. Qendra u mbyll e këta fëmijë qëndronin në shtëpi.
“Jo sot, por prej në 2007 mbështet financiarisht shumë shoqata, sidomos shoqatën që quhej “Poraka”, që punonte me fëmijë me nevoja të veçanta. Prej në fillim ne ndamë buxhet për dy të punësuarit aty dhe harxhimet shtesë që i kemi rritur çdo vit deri në 2021, dhe më pas kishim një keqkuptim dhe u tërhoqëm edhe ne edhe ata që menaxhonin qendrën. Kështu që përsëri u mblodhëm me këshilltarët që të ndihmojmë shoqatën e re.”, – deklaroi kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko.
Funksionimi i kësaj qendre përkrahet nga partnerë të organizatës në Holandë, partnerë lokalë, si dhe nga Komuna e Strugës e cila siguron dy edukatore, ushqimin për fëmijët dhe një pjesë të shpenzimeve ditore.



