
Ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Ivan Stoilkoviq, deklaron se para largimit nga funksioni po e lë ministrinë “të rregulluar dhe të organizuar”, me një buxhet të zvogëluar më shumë se trefish krahasuar me vitin 2021 dhe me programin K-5 të shfuqizuar plotësisht.
Sipas Stoilkoviqit, buxheti i Ministrisë është ulur nga 577,8 milionë denarë në vitin 2021 në 173,5 milionë denarë në vitin 2026, pa u ndërprerë aktivitetet programore. Ai thekson se me këtë është ndërprerë praktika e shpenzimit të parave publike për qëllime të papërshtatshme.
Ai shton se ka përfunduar procesi i risistemimit të nëpunësve administrativë të përfshirë në programin K-5, për të cilin pohon se më parë kishte mundësuar pagesën e pagave për persona që nuk paraqiteshin në vendin e punës.
Stoilkoviq vlerëson gjithashtu se Ligji i ri për përfaqësim adekuat dhe të drejtë, i cili ndodhet në procedurë parlamentare, do të sigurojë profesionalizëm më të madh, përfshirje dhe kompetencë në administratën publike.



