LajmeSport

KB Shkupi i pezulluar, ndërsa tre lojtarë të dalë nga klubi përfaqësojnë Maqedoninë: Kush po gabon këtu?

Klubi i Basketbollit “Shkupi” ka reaguar ndaj vendimit të Federatës së Basketbollit të Maqedonisë për pezullimin dhe përjashtimin e tij nga garat për shkak të detyrimeve financiare, ndërkohë që tre basketbollistë të dalë nga shkolla e këtij klubi janë pjesë e përfaqësueses së Maqedonisë, shkruan gazeta KOHA.

Nga KB Shkupi theksojnë se, në prag të ndeshjes së Maqedonisë kundër Austrisë, në përbërjen e kombëtares ndodhen Rezart Memeti, Leyson Zekiri dhe Valmir Kakruki. Bëhet fjalë për tre basketbollistë të rinj që vijnë nga shkolla e të rinjve e KB Shkupi dhe që sot mbajnë fanellën e përfaqësueses shtetërore.

“Ka diçka që thjesht nuk duhet të lihet në heshtje. Në prag të ndeshjes së Maqedonisë kundër Austrisë, në përbërjen e kombëtares ndodhen Rezart Memeti, Leyson Zekiri dhe Valmir Kakruki – tre basketbollistë të rinj që vijnë nga shkolla e të rinjve të KB Shkupi”, thuhet në reagimin e klubit.

Nga KB Shkupi nënvizojnë se bëhet fjalë për tre lojtarë të kombëtares, të cilët janë produkt i së njëjtës shkollë basketbolli dhe që aktualisht përfaqësojnë shtetin në arenën sportive.

“Tre lojtarë të kombëtares. Tre lojtarë që janë produkt i një shkolle basketbolli. Tre basketbollistë që sot mbajnë fanellën e Maqedonisë dhe përfaqësojnë shtetin”, theksohet në reagim.

Megjithatë, nga klubi rikujtojnë se KB Shkupi vazhdon të jetë i pezulluar nga Federata e Basketbollit e Maqedonisë për shkak të detyrimeve financiare. Në tetor të vitit 2025 u bë e ditur se klubi ishte pezulluar për shkak të një borxhi në vlerë prej 590 mijë denarësh, ndërsa Federata kishte konfirmuar zyrtarisht se Shkupi ishte përjashtuar nga garat.

Sipas drejtuesve të klubit, pikërisht ky kontrast duhet të hapë një debat më të gjerë për mënyrën se si institucionet sportive i trajtojnë klubet që krijojnë dhe zhvillojnë basketbollistë të rinj, të cilët më pas bëhen pjesë e përfaqësueses shtetërore.

“Dhe këtu vjen pyetja që me të drejtë duhet të shtrohet: Cili shtet e pezullon një klub që i jep kombëtares tre lojtarë të përfaqësueses?”, pyesin nga KB Shkupi.

Nga klubi sqarojnë se nuk e kundërshtojnë parimin që klubet sportive duhet t’i respektojnë rregullat dhe detyrimet financiare. Megjithatë, ata vënë në pikëpyetje qasjen e Federatës ndaj një klubi që, pavarësisht problemeve financiare, vazhdon të prodhojë lojtarë cilësorë dhe të kontribuojë drejtpërdrejt në përfaqësuesen e Maqedonisë.

“Askush nuk thotë se klubet nuk duhet t’i respektojnë rregullat financiare”, theksohet në reagim, ndërsa nga KB Shkupi kërkojnë që të merret parasysh kontributi sportiv dhe puna e klubit me gjeneratat e reja.

Përmes këtij reagimi, KB Shkupi ngre dilemën nëse pezullimi dhe përjashtimi nga garat është mënyra e duhur për ta trajtuar një klub që ka dëshmuar se është në gjendje të krijojë basketbollistë për nivelin më të lartë përfaqësues. Nga klubi vlerësojnë se rasti i Memetit, Zekirit dhe Kakrukit dëshmon rëndësinë e shkollës së KB Shkupi për zhvillimin e basketbollit dhe për të ardhmen e përfaqësueses.

“Në njërën anë, tre lojtarë të dalë nga KB Shkupi janë thirrur për ta mbrojtur fanellën e Maqedonisë në ndeshjen kundër Austrisë, ndërsa në anën tjetër, klubi që i ka formuar ata mbetet jashtë garave për shkak të një borxhi prej 590 mijë denarësh”.

Për KB Shkupin, kjo situatë shtron një pyetje që nuk duhet të mbetet pa përgjigje: Kush po gabon në këtë rast – klubi që ka krijuar tre reprezentues apo sistemi sportiv që e ka pezulluar atë?

Related Articles

Back to top button
Close
Close