
Ministri i Jashtëm i Sirisë, Asad al-Shaibani, deklaroi dje nga Bejruti se vendi i tij nuk ka ndërmend të ndërhyjë ushtarakisht në Liban kundër Hezbollahut, pavarësisht thirrjeve të përsëritura të presidentit amerikan Donald Trump për ta bërë një gjë të tillë.
Gjatë vizitës në Liban, al-Shaibani u takua me disa liderë politikë dhe fetarë, përfshirë kryetarin e Parlamentit libanez, Nabih Berri, aleat i Hezbollahut.
Që nga ardhja në pushtet në dhjetor 2024, pas rrëzimit të presidentit Bashar al-Assad, udhëheqësit e rinj sirianë kanë deklaruar se synojnë të hapin një faqe të re në marrëdhëniet me Libanin, i cili për dekada ishte nën ndikimin e regjimit Assad.
Presidenti sirian Ahmad al-Sharaa, në fund të qershorit, ritheksoi se Siria nuk ka synim të ndërhyjë dhe të rihapë plagët e së kaluarës.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar vazhdimisht se Siria mund të “merret me Hezbollahun” në Liban, duke kritikuar strategjinë e Izraelit në luftën kundër grupit të armatosur të mbështetur nga Irani.
Al-Shaibani e siguroi presidentin libanez Joseph Aoun se dëshiron të largojë çdo dyshim të krijuar nga raportimet për një ndërhyrje të mundshme ushtarake siriane në Liban.
Ai theksoi se “Siria nuk ka ndërmend të ndërmarrë një hap të tillë”, njoftoi presidenca libaneze.
Ministri sirian i dorëzoi gjithashtu presidentit Aoun një ftesë nga presidenti Ahmad al-Sharaa për të vizituar Sirinë, vizitë që do të ishte e para e këtij lloji.
Pas takimit me kryetarin e Parlamentit, Nabih Berri, al-Shaibani u tha gazetarëve se nuk e përjashton mundësinë e një takimi me Hezbollahun në të ardhmen.



