Paralelisht me këto masa represive, udhëheqja komuniste jugosllave, shqiptarët e Kosovës dhe të viseve tjera nën Jugosllavi, nga “albanci” siç i njiheshin zyrtarisht deri te shpallja e Rezolutës së Informbyrosë, filloi t’i emërtoj si “shiptari”, ndërsa shqiptarët brenda kufijve politik të Shqipërisë vazhdonte t’i emërtonte si “albanci”. Tendenca ishte e qartë: kombi shqiptar të ndahej në dy etnitete të veçanta
Nga Qerim LITA
Prishja e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave, e cila erdhi si rrjedhojë e Rezolutës së Informbyrosë mbi gjendjen në Partinë Komuniste të Jugosllavisë (1 korrik 1948), përkeqësoi edhe më shumë pozitën e shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni dhe në Mal të Zi. Udhëheqja komuniste jugosllave e shfrytëzoi këtë moment për ushtrimin e një presioni të vrazhdë politik e ideologjik kundër shqiptarëve. Ky presion u zbatua veçanërisht në brezin kufitar, ku u krijuan disa qendra të UDB-së, si në Ulqin, Tuz, Guci, Gjakovë, Prizren, Dibër, Strugë, Resnjë etj., të cilat drejtoheshin nga njerëz më të besueshëm të Aleksandar Rankoviç-it si: Mile Cvetkoviç, Vllado Katulin, Mile Lekiç, Gjuro Maksimoviç, Dobraçin Zogoviç, Gjoko Mihajlloviç, Vllado Popoviç, Mustafa Lleshi, Lutfi Rusi etj. Një numër jashtëzakonisht i madh i intelektualëve në përgjithësi, e të mësuesve në veçanti u vunë nën vëzhgim të rreptë të UDB-së. Nën kontroll të UDB-së u vunë edhe dy gazetat në gjuhën shqipe, Rilindja që botohej në Prishtinë dhe Flaka e Vëllazërimit në Shkup.
Paralelisht me këto masa represive, udhëheqja komuniste jugosllave, shqiptarët e Kosovës dhe të viseve tjera nën Jugosllavi, nga “albanci” siç i njiheshin zyrtarisht deri te shpallja e Rezolutës së Informbyrosë, filloi t’i emërtoj si “shiptari”, ndërsa shqiptarët brenda kufijve politik të Shqipërisë vazhdonte t’i emërtonte si “albanci”. Tendenca ishte e qartë: kombi shqiptar të ndahej në dy etnitete të veçanta. Çuditërisht, mediumi i parë i cili filloj ta zbatoj urdhrin e Byrosë Politike të KQ të LKJ-së, ishte Radio Shkupi, programi në gjuhën maqedonase, i cili deri atëherë i lajmëronte dëgjuesit e vet se fliste “na albanski jazik”, tashti e ktheu “na shiptarski jazik”.
Një tendencë e tillë u kundërshtua ashpër nga inteligjenca e atëhershme shqiptrare në krye të së cilës ishin: Zekiria Rexha, Selman Riza, Esat Mekuli, Mahmut Dumani, Mark Krasniqi, Mehdi Bardhi, Anton Çeta, Mehmetriza Murtezani – Gega, Adnan Agai etj. Komunisti serb, Predrag Ajtiq, i cili më vonë u emërua ministër i plotfuqishëm i Jugosllavisë në Shqipëri, duke iu kundërvu pikëpamjeve të profesor Zekiria Rexhës, rreth çështjes kombëtare shqiptare, shprehet: “…Zekeriau ashtë kryefort, nuk shtrohet, ka besim shumë në dijen e vetë, ka ba nji libër ku historikisht lidh shqiptarët e Kosovës me ata të Shqipërisë, kurse këto lidhje nuk ekzistojnë qysh në shekullin XVIII (tetëmbëdhjet)…”.
Ky emërtim ofendues për kombin shqiptar zgjati deri në vitin 1966, përkatësisht menjëherë pas mbledhjes së IV të KQ të LKJ-së, ku siç dihet, ra nga skena politike jugosllave ultranacionalisti serb, Aleksandër Rankoviç, i cili asaj kohe konsiderohej si figura e dytë më e rëndësishme komuniste jugosllave, menjëherë pas Josip Broz Titos. Në këtë periudhë, inteligjenca shqiptare, shtroi një sërë kërkesash, të cilat kishin për qëllim përmirësimin e statusit të shqiptarëve në RSFJ, që shqiptarët, ngjashëm si kombet tjera në Jugosllavi, të kenë një qendër të vetme politike e kulturore; popullsia të quhet shqiptare (albanci) e jo si deri atëherë “shiptari”; shqiptarëve t’ju mundësohet përdorimi i lirë i simboleve kombëtare; krijimi i institucioneve të larta arsimore e kulturore; përmirësimi i marrëdhënieve me Shqipërinë etj.. Sipas saj “arritjet e deriatëhershme ishin të parëndësishme dhe më shumë produkt i përpjekjeve të vetë shqiptarëve, se sa përpjekjet e pushtetit; se në viset shqiptare barazia e realizuar ishte një demagogji, se ekzistonte numri i madh i të burgosurve politik shqiptarë, se deri në mbledhjen e IV të LKJ-së (korrik 1966), UDB-ja i përndiqte vetëm shqiptarët, se gjuha shqipe ishte e përbuzur dhe e nënçmuar, se barazia e vërtetë nënkupton vetëm në punësimin proporcional të shqiptarëve, se federata distancohej padrejtësisht nga obligimet materiale ndaj shqiptarëve e tjerë”.
Si rrjedhojë e kërkesave të shtruara nga ana e inteligjencës shqiptare, më 1 mars të vitit 1968 në Shkup, u mbajt mbledhja e 14 e KQ të LKM-së, në të cilën u shtruan disa çështje me rëndësi, si: barazia gjuhësore, marrëdhëniet me shtetet fqinje, veçmas me RP të Shqipërisë, problemi rreth emërtimit zyrtar të shqiptarëve në Jugosllavi, kërkesa për lidhjen vertikale, përkatësisht krijimin e qendrës kulturore e politike të shqiptarëve në Federatë etj… Kryetari i KQ të LKM-së, Kërste Cërvenkovski, në fjalimin e tij ndër të tjerave u ndal edhe rreth emërtimit zyrtar të shqiptarëve, ku veç tjerash tha:
“…Në kohë të fundit shkruhet dukshëm për këtë dhe insistohet ndaj ‘shiptarite’ të gjithë të tjerët t’u drejtohen si ndaj ‘allbanci’. Nëse kjo mbisundon te mbarë shqiptarët mendoj se nuk ka arsye që edhe ne të mos e pranojmë. Unë nuk e ndaj mendimin se është ofenduese që dikush tjetër do të drejtohet ndaj ‘allbancite’ si ndaj ‘shiptarite’. Mirëpo, është e vërtetë edhe ajo se ‘Albanija’ është e vetmja që veten e quan Shqipëri dhe ‘allbancite’ midis veti njihen shqiptarë. Në anën tjetër, tërë bota i thërrasin ‘Allbanci’ dhe Republika Popullore e ‘Albanisë’ (Shqipërisë) Mirëpo, pasi kjo krijon pengesë mendoj se mundemi ta pranojmë dhe nëse nuk keni asgjë kundër, unë do të isha për atë që dokumenti të përmirësohet dhe në vend ‘shiptari’ të futet ‘allbanci’…”. Nga ky moment, në të gjitha dokumentet zyrtare shqiptarët emërtoheshin si “allbanci” e jo si “shiptari”.
HAPJA E SHKOLLAVE TURKE NË VENDBANIMET SHQIPTARE
Vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore marrëdhëniet e Republikës së Turqisë me RPF të Jugosllavisë nuk ishin shumë miqësore. Shtypi turk, ngjashëm sikurse edhe ai demokratik perëndimor sulmonte vazhdimisht udhëheqjen e atëhershme komuniste jugosllave, si vegël e zgjatur e Bashkimit Sovjetik, e cila asaj kohe zhvillonte luftë të ftohtë kundër Turqisë. Me Rezolutën e Informbyrosë (1948) nga njëra anë, dhe anëtarësimin e Turqisë në Paktin e Atlantikut nga ana tjetër (1952), qarqet zyrtare turke e fillojnë përmirësimin gradual të qëndrimit të tyre ndaj Jugosllavisë. Rol të rëndësishëm në këtë luajti ministri i Jashtëm i Turqisë, Mehmed Fuad Kyprili, i cili nga qarqet e atëhershme politike jugosllave konsiderohej si miku më i ngushtë dhe më i sinqertë i tyre. Si rrjedhojë e një klime të tillë gjatë vitit 1952 erdhi deri te bashkëpunimi në fushën ushtarake por edhe te shkëmbimi i vizitave të gazetarëve turq dhe atyre jugosllavë, delegacioneve parlamentare, tregtare etj. Po gjatë atij viti kryetari i bashkisë së Stambollit vizitoi qytetet më të rëndësishme të Jugosllavisë ndërkohë edhe kryetarët e këshillave popullore të Beogradit, Zagrebit e Shkupit vizituan qytetet kryesore të Turqisë etj..
Ndërkohë, nga janari i vitit 1951 me kërkesë të ambasadës turke në Beograd, kishin filluar bisedimet e para rreth mundësisë së shpërnguljes nga RFPJ për në Republikën e Turqisë të disa shtetasve të Jugosllavisë, me qëllim siç thuhet në një dokument diplomatik jugosllav “bashkimit me anëtarët e ngushtë të familjeve të tyre të shpërngulur nga Jugosllavia për në Turqi”. Ky numër sipas ambasadës turke në Beograd, arrinte shifrën prej 745 familjeve, përkatësisht 4.407 personave. Ndërkohë pala jugosllave shprehi gatishmërinë që nga Jugosllavia për në Turqi të shpërnguleshin 30.000 persona nga gjithsej 98.000 sa numëronte asaj kohe pakica turke në Jugosllavi sipas regjistrimit të vitit 1948.
Po në këtë periudhë kohore, Byroja Politike e KQ të PKM-së, formoi një ekip të posaçëm, të cilin e udhëhiqte Kërste Cërvenkovski, ndërsa për anëtarë të tij u zgjodhën: Mito Temenugov, Reis Shaqiri, Boge Kuzmanoski, Tome Buklevski – Maçuli, Gjore Gjorevski dhe Allojz Pipan. Ekipi në fjalë, duke filluar nga data 17 janari e deri më 3 shkurt të vitit 1952, vizitoi të gjitha rrethet ku popullsia shqiptare përbënte shumicë, si: Gjorçe Petrov, Kumanovë, Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Dibër, Strugë dhe Resën. Paraprakisht, nga ana e Byrosë Politike ishte përpiluar plani i punës së ekipit, i cili theks të veçantë i kushtonte veprimtarisë dhe sjelljes së mësuesve, hoxhallarëve dhe nëpunësve shqiptarë, por edhe hulumtimit të “lëvizjes balliste”, “kush i printe” asaj lëvizjeje, pastaj cilat ishin “format dhe manifestimet” e saj, te cilat “shtresa ndikonte ajo”, etj.
Në bazë të informacioneve që mori, ekipi hartoi një analizë (elaborat), që do të shqyrtohet në Byronë Politike të KQ PKM-së, në mbledhjen e zgjeruar, mbajtur më 29 shkurt 1952, në të cilën krahas anëtarëve të Byrosë Politike, morën pjesë edhe sekretarët e komiteteve qarkore, të besuarit e UDB-së, nga rrethet ku jetonin shqiptarët, anëtarët e KQ-së që punonin në aparatet e saj dhe të vetë UDB-së etj.. Analiza që rezultoi nga ky aksion do të aprovohet pa asnjë kundërshtim, përfshinte 40 faqe, e ndarë në katër nëntituj kryesorë: historia dhe gjendja politike në mesin e popullatës shqiptare në Maqedoni; çështja e arsimit; çështja ekonomike dhe çështja organizative. Në fakt, analiza, përbënte programin e modifikuar serbë “Naçertania”, në të cilën shqiptarët paraqiteshin si ardhacak, të cilët në këto vise ishin vendosur duke e përdorur “dhunën dhe terrorin ndaj popullatës autoktone sllave (serbo-maqedonase)” se ata ishin: “fundamentalistë islamikë, shqiptaro-mëdhenj, fashistë, terroristë, shovinistë, banditë, reaksionarë” dhe njollosje të tjera, të cilat sipas analizës, pushteti popullor maqedonas duhej të ndërmerrte “masa kundër tyre”.
Krahas analizës, kreu i Byrosë Politike, solli edhe disa konkluzione, lidhur me problemet politike, arsimore, ekonomike dhe organizative në territoret e mësipërme, ku ftoheshin organizatat partiake dhe ato masive të rretheve që të punonin: “..në përmbysjen e tendencave nacional-shoviniste, si dhe në vendosjen e punës aktive të luftës kundër tendencave të zhvilluara për bashkimin e Shqipërisë nëpërmjet komiteteve perëndimore”.
Në pjesën ku flitej për problemin e arsimit, në mënyrë të qartë vihej në dukje: “Është e domosdoshme që të hapen shkolla në gjuhën turke në Maqedoninë Perëndimore, në vendbanimet ku jetojnë turqit; shkolla shqipe e Normales në Tetovë të mbyllet dhe pranë shkollës normale në Shkup, të hapen paralele turke dhe shqiptare; të ndërmerren masa për pastrimin e mësuesve jo të përshtatshëm politikisht dhe të dobët profesionalisht, dhe gradualisht të shkohet drejt pastrimit të mësuesve të ardhur nga Shqipëria…etj.”.
KONKLUZIONET E GJOKO PAJKOVIÇI DHE SHEFQET MUSLIUT
Mbështetur në këto vendime, në vitin shkollor 1952/53, vetëm në Pollog u hapën gjashtë shkolla turke edhe atë: Tearcë, Tetovë, Vrapçishtë, Banjicë e Poshtme, Banjicë e Epërme dhe në Gostivar. Duhet të vëmë në dukje se shkolla turke, krahas Pollogut u hapën edhe në rrethet e: Dibrës, Kërçovës, Strugës, Resnjës, Manastirit, Krushevës, Kumanovës dhe të Prilepit.
Aksioni i hapjes së shkollave turke u zhvillua edhe në Kosovë, ku bartës të tij ishin krerët më të lartë të pushtetit partiak e shtetëror si: Gjoko Pajkoviç, Petar Ajtiç, Dushan Mugosha, Mehmet Hoxha, Ashim Topalli, Ismet Shaqiri, Sherafedin Sulejmani etj. Në fillim, kundër aksionit dolën Fadil Hoxha dhe Ali Shukriu, mirëpo më vonë ata, në rrethana të panjohura u tërhoqën nga deklaratat e tyre të para, duke u pajtuar me bashkë-partiakët e tyre të mësipërm. Më 18 mars të vitit 1952, në Kuvendin e Qarkut Autonom të Kosovës, u mbajt një mbledhje, nën udhëheqjen e Shefqet Musliut dhe Gjoko Pajkoviçit, në të cilën u soll konkluzioni për sa më poshtë vijon:
“RPF e Jugosllavisë i njeh të drejtat e të gjithë minoriteteve dhe grupeve nacionale me u zhvillua në gjuhën dhe kulturën e tyre nacionale. Këtu në Kosovë e Metohi ekziston grupi me kombësi turke, sepse turqishtja flitet në qytetet e Kosovës, Metohisë prej një mori njerëzish. Ne do t’i lëmë qytetarët të deklarohen lirisht për kombësinë e tyre. Ata deri tash nuk kanë mundur ta bëjnë këtë gjë nga presioni dhe shovinizmi shqiptar. Komunistët si dhe anëtarët e Lidhjes Socialiste e kanë për detyrë të zhvillojnë agjitacion për zbatimin e këtij vendimi dhe zhvillimin e këtij aksioni që njerëzit të deklarohen lirshëm për kombësinë e tyre”.
Ndryshe nga klika komuniste, vendimin për hapjen e shkollave turke, për inteligjencën shqiptare të Kosovës, u konsiderua, si një përpjekje e regjimit komunist jugosllav për “ç’kombëtarizimin e shqiptarëve përmes turqizmit”. Intelektuali dhe atdhetari i shquar shqiptar, Zekiria Rexha, këtë ngjarje, ndër të tjerave e përshkruante për sa më poshtë vijon:
“…Mbas këtij gjahu të pamëshirshëm diskreditimesh, kërcënimesh e presionesh nga të gjitha organet e UDB-së e të partisë…, u krijua artificialisht minoriteti turk tek shqiptarët e Kosovës e të Maqedonisë. U çelën shkolla turke me mësues të improvizuar nga berberët, kasapët…, u çelën kurse për përgatitje të mësuesve turq, filluan radiot të flasin e të këndojnë turqisht, u shti turqishtja në përdorim nëpër konferenca publike dhe nëpër tubime, u shfaq tragji-komedia e çuditshme!…Libra u sollën nga Turqia, disa u shtypën brenda në Shkup të cilat përgatiteshin nga intelektualët shkupjanë të cilët vetë më vonë u shpërngulën për në Turqi, për t’u shpërblyer më mirë për punën që e kishin kryer rreth turqizmit të shqiptarëve…”.
Hapja e shkollave turke, u kundërshtua edhe nga inteligjenca shqiptare në Maqedoninë Perëndimore. Veprimtari i shquar i çështjes shqiptare, Mehmetriza Murtezani – Gega, natën e Bajramit të Vogël të vitit 1952 në qytetin e Tetovës, i vendosi tri parulla; njërën e vendosi para kinemasë së qytetit, të dytën para postës dhe të tretën para xhamisë së Larme, përmes së cilave ftohej kombi shqiptar që mos t’i dërgonte fëmijët në shkollat turke, ta ruajnë bashkimin mes vetes dhe të mos ndahen nga gjiri i tyre kombëtar. Komisioni për Arsim dhe Kulturë, në analizën e mësipërme, njoftonte për kundërshtimet e mësuesve shqiptarë që të jepnin mësim në shkollat turke: “…Në rrethet e Tetovës dhe Gostivarit, thuhej në analizë, në më shumë raste mësuesit flasin turqisht si dhe nxënësit e tyre, ndërsa mësimin e zhvillojnë në gjuhën shqipe. Kur u ndërmorën masat në këto vise që për popullatën turke të hapen shkolla në gjuhën turke, mësuesit rezistuan, sidomos në rrethin dhe qytetin e Tetovës, ku asnjëri nga mësuesit vendas nuk dëshironin të jepnin mësim në gjuhën turke.. dhe për këtë atje duhej të dërgoheshin mësues nga Shkupi…”.
Si rrjedhojë e një politike të tillë, në regjistrimin e vitit 1953 numri i turqve në RFPJ u trefishua. Nga 98.000 sa pati gjithsej turq në Jugosllavi në regjistrimin e vitit 1948, numri i tyre në regjistrimin e vitit 1953 arriti në 259.500 banorë. Një dukuri e tillë erdhi në shprehje veçanërisht në RP të Maqedonisë, ku tashti numri i popullsisë turke çuditërisht u shtua për 107.998, përkatësisht nga 95.949 banorë sa pati në vitin 1948, në 203.938 banorë sipas regjistrimit të vitit 1953, ndërsa numri i shqiptarëve ra për 34.865 banorë, përkatësisht nga 197.389 banorë sa numëronte në vitin 1948, në 162.254 banorë sipas regjistrimit të vitit 1953. Se regjistrimi i popullsisë ishte i falsifikuar nga ana e regjimit komunist jugosllavo-maqedonas, mjafton të ndalemi vetëm në komunën e Likovës, e cila sipas regjistrimit të vitit 1948 ishte mbi 90 për qind shqiptare, përkatësisht në të jetonin 14.598 banorë, prej tyre 12.733 shqiptarë, 764 maqedonas, 5 turq dhe 1096 të tjerë. Ndërkohë, në regjistrimin e popullsisë së vitit 1953, numri i “turqve” çuditërisht, nga 5 persona sa pati në regjistrimin e vitit 1948, u rritë 9.878 persona, ndërsa ai shqiptarë nga 12.733, ra vetëm në 3609 persona. Është mase e qartë se popullsia e asaj komune i përkiste kombit shqiptar dhe se gjuha turke për ta ishte gjuhë e huaj. Kjo dëshmohet edhe në raportin e vitit 1956 të komitetit komunal të Lidhjes komuniste të kësaj komune ku thuhet shprehimisht: “…Në territorin e komunës së Likovës përfshihen 18 fshatra me 2.157 shtëpi dhe 15.244 banorë prej të cilëve sipas përkatësisë nacionale 96 për qind janë shqiptarë, ndërsa 4 për qind serbë, maqedonas dhe malazezë…”.