
Zërat që qarkullonin prej ditësh janë konfirmuar. Andoni Iraola është zyrtarisht trajneri i ri i Liverpulit. Klubi i kuq i Premier Ligës zyrtarizoi arritjen e marrëveshjes me teknikun spanjoll, i cili ka hedhur firmën deri në vitin 2028.
Iraola do të zëvendësojë në pankinën e Liverpul, Arne Slot, i cili u largua nga detyra pas një sezoni larg pritshmërive. “Ju e njihni madhështinë e këtij klubi dhe nuk duhet shumë për t’u bindur. Jam shumë i emocionuar dhe mezi pres të filloj punën”, ishin fjalët e para të teknikut 43 vjeçar të përcjella nga “Reds”, bashkë me njoftimin për firmosjen e kontratës me trajnerin e ri.
Në këtë mënyrë, Andoni Iraola ka bërë kapërcimin e madh në karrierën e tij duke u ulur në pankinën e një prej skuadrave më të mëdha të futbollit anglez dhe atij botëror.
Ky promovim vjen pas një sezoni fantastik në pankinën e Burnemuth, ku për herë të parë në histori drejtoi këtë ekip modest të Premier Ligës drejt kualifikimit në Europa Ligë.
Më parë, trajneri bask kishte drejtuar ekipe si Rajo Vajekano në Spanjë dhe AEK Larnaka në Qiprio, përpara se të merrte drejtimin e Burnemuth në kampionatin anglez.
Por asnjë prej këtyre skuadrave nuk është në nivelin dhe historinë e Liverpul. Puna e parë e Andoni Iraola është të fitojë zemrën e tifozëve në “Anfilld” dhe këtë mund ta bëjë vetëm duke luftuar për trofe në Angli dhe Europë.



