
Braziliani Kaka sapo kishte fituar çmimin e Lojtarit të Vitit nga FIFA për vitin 2007. Por ishte një moment i sikletshëm pranë tij në skenë, që do të bëhej viral dhe ndoshta do të ofronte pamjen e parë të një rivaliteti gjeneratash.
Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, ende të rinj, kishin përfunduar në vendin e dytë dhe të tretë. Dhe legjenda braziliane, Pele, gabimisht ia dha Ronaldos trofeun për vendin e dytë, në Shtëpinë e Operës në Zurich.
Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, u desh të ndërhynte për t’i kërkuar dyshes të shkëmbenin trofetë, me të dy që dukeshin të pakënaqur.
Për dhjetë vjetët e ardhshëm, Messi apo Ronaldo fituan çdo Top të Artë dhe çmim të FIFA-s që ishte në dispozicion. Në fakt, që nga viti 2007, 20 nga 29 trofetë e dhënë për lojtarin e vitit në Evropë kanë shkuar te njëri prej tyre.
Me gati 2000 gola të përbashkët, 85 trofe për klubet dhe vendet e tyre, si dhe me çmime e rekorde të panumërta individuale, Messi dhe Ronaldo do të kujtohen përgjithmonë si dy nga lojtarët më të dekoruar në histori.
Është një rivalitet që ka përcaktuar dy dekadat e fundit të futbollit.
“Dy lojtarë si ata, që garojnë në atë nivel për kaq shumë vjet, duke luftuar për Topin e Artë dhe duke shënuar kaq shumë gola. Nuk mendoj se do ta shohim përsëri”, ka thënë fituesi i Kupës së Botës me Argjentinën, Angel di Maria, në dokumentarin e ri të BBC për rivalitetin Messi – Ronaldo.
Di Maria ka luajtur me të dy.
Të nxitur nga fitimi i trofeve, rekordet dhe dëshira e paepur për të qenë më i miri, dyshja ka shtyrë njëri-tjetrin drejt niveleve të reja.
Është rivalitet që shkon përtej debatit përfundimtar “më i madhi i të gjitha kohërave”.
“Ata ndryshuan futbollin”, thotë Di Maria.
Pyetja pa përgjigje
Pyesni të gjithë se kush është më i madhi dhe është e vështirë të gjendet një pajtueshmëri.
“Duhet të jetë Ronaldo”, thotë ish-shoku i tij i skuadrës te Manchester Unitedi, Rio Ferdinand.
“Messi është më i miri që ka ekzistuar ndonjëherë”, insiston ish-lojtari dhe trajneri i Barcelonës, Xavi.
Ronaldo e ka thënë fjalën e tij në të kaluarën, duke deklaruar në vitin 2012: “Nuk mund të kahasosh një Ferrari me një Porsche. Është motor i ndryshëm. Disa njerëz thonë se unë jam më i mirë, disa thonë se ai është. Ata do të vendosin se kush është më i mirë në këtë moment dhe unë mendoj se jam unë”.
Por çka tregojnë shifrat?
Nëse gjykohet nga golat ose trofetë e Ligës së Kampionëve, Ronaldo kryeson. Nëse janë Topat e Artë apo totali i trofeve, Messi është para.
Për disa, Ronaldo doli para kur e ndihmoi Portugalinë ta fitonte Kampionatin Evropian në vitin 2016.
Por Messi që nga atëherë e ka udhëhequr Argjentinën drejt dy titujve në Kupën e Amerikës dhe drejt triumfit në Kupën e Botës.
“Për mua, Messi është lojtari më i mirë në histori dhe Cristiano është golashënuesi më i madh në histori”, thotë eksperti spanjoll i futbollit, Guillem Balague.
Deco, i cili luajti me Ronaldon për Portugalinë dhe Messin për Barcelonën, thotë: “Ata janë të veçantë. Janë krejtësisht të ndryshëm nga të tjerët. Nuk është normale të jesh në këtë nivel gjatë gjithë këtyre vjetëve. Vazhdimisht ka lojtarë që bëjnë gjëra të mahnitshme për disa vjet. Por të jesh gati 20 vjet në nivelin më të lartë, kjo nuk është normale”.
Ndoshta bukuria e debatit për më të mirin e të gjitha kohërave është se mund të mos zgjidhet kurrë. Dhe nuk ka nevojë të zgjidhet.
Dy anë të ndryshme
Dyshja shihet nga shumë njohës të lojës së futbollit si dy pole të kundërta.
Dribluesi kundër shembullit fizik. Gjenialiteti i turpshëm kundër egos arrogante. Barcelona e Pep Guardiolas kundër Real Madridit të Jose Mourinhos. “Adidas” kundër “Nike”.
Rivaliteti është ndërtuar mbi dallimet e tyre, por ngjashmëritë mes Messit dhe Ronaldos ishin të habitshme, që në moshë të re.
Të dy u rritën në mjedis modest. Të dy lanë shtëpitë në moshë të re për të ndjekur ëndrrat – Messi në Barcelona nga Argjentina në moshën 13-vjeçare, Ronaldo në Lisbonë nga Madeira në moshën 12-vjeçare. Dhe të dy përballuan sëmundje pasi lanë familjet pas.
Joshua Robinson, reporter i “Wall Street Journal”, bashkautor i një libri për Messi-Ronaldo, thotë:
“Messi dhe Ronaldo gjithmonë portretizohen si shumë të ndryshëm, por gjërat që i krijuan në fëmijëri ishin tepër të ngjashme. Të dy shkuan në një vend që thotë ‘ne do ta marrim talentin tënd dhe do të bëjmë edhe më të madh’. Ky premtim duket tërheqës, por është rrezik i madh. Ai moment i angazhimit të plotë është kur ata e kuptojnë se kjo nuk është më punë fëmijërore. ‘Nëse dua të jem më i madhi i të gjitha kohërave, këtu fillon gjithçka’”.
Gjëja kryesore që i bashkoi të dy ishte dëshira e palëkundur për sukses. Ata shpejt ndërtuan reputacionin si talente të reja të jashtëzakonshme.
“Te Messi mund të shihje diçka ndryshe”, tha Xavi. “Jo vetëm cilësia, por edhe intensiteti me të cilin ai bënte gjërat. Kishte një agresivitet në sulm që nuk e kisha parë kurrë. Cristiano madje i dha atij një shtytje për t’u bërë lojtar më i mirë”.
Ndërkohë adoleshenti Ronaldo kaloi nga Sportingu te Manchester Unitedi.
“Nuk kam takuar kurrë një lojtar të ri e kaq të sigurt për atë që donte”, tha Rene Meulensteen, i cili ishte pjesë e stafit të klubit në atë kohë. Kalimin e Ronaldos tek Unitedi, ai e vlerëson hap të logjikshëm drejt asaj që synonte – të bëhej lojtari më i mirë në botë.
Përballja e parë
Gjysmëfinalja e Championsit në vitin 2008 vuri përballë Manchester Unitedin dhe Barcelonën. Ronaldo kundër Messit për herë të parë.
“Njëri më i miri në La Liga, tjetri në Premier League. Të shihje ata dy fëmijë në fushë së bashku ishte shenja e diçkaje që do të vinte”, tha gazetari spanjoll i futbollit, Guillem Balague.
Manchester Unitedi e fitoi trofeun. Ronaldo ngriti Topin e Artë dhe një rivalitet gjenerate veçse kishte nisur.
“Nuk ka dyshim se të qenit në të njëjtën ligë ndryshoi gjithçka”, thotë Txiki Begiristain, drejtor i futbollit te Barcelona nga viti 2003 deri në vitin 2010.
Transferimi i Ronaldos te Real Madridi në vitin 2009 e vendosi dyshen në qendër të një prej rivaliteteve më të mëdha të klubeve në futboll – Barcelona kundër Real Madridit.
Kur Ronaldo u largua për te Juventusi në vitin 2018, të dy i kishin nga pesë Topa të Artë. Gjatë nëntë edicioneve së bashku në Spanjë, Ronaldo i kishte 450 gola në 438 ndeshje, ndërsa Messi 471 gola në 476 ndeshje.
Kishte të bënte më shumë se me shifra. Ishte personale dhe rritja e ndikimit të mediave sociale nënkuptonte se bota po shikonte.
“Për Cristianon ishte Lionel Messi. Për Messin ishte Cristiano. ‘Duhet ta mposhti këtë djalë’”, thotë Begiristain.
Beteja e dy yjeve për supremaci u simbolizua nga beteja e vazhdueshme e klubeve për trofe. E Pep Guardiolas dhe Jose Mourinhos po ashtu.
Ishte betejë e hatashme. Messi dhe Barcelona fituan trofetë e La Ligas, por Championsi u dominua nga Real Madridi dhe Ronaldo.
Në vitin 2012, Ronaldo e udhëhoqi Real Madridin drejt titullit në Spanjë, por ishte Messi që mori “Topin e Artë” për herë të katërt rresht. Dhe për neveri të rivalit të tij.
Dhe rivaliteti sa shkonte e rritej. Ka momente dramatike që dëshmojnë këtë.
Rivaliteti Messi – Ronaldo në Spanjë mund të ketë mbaruar kur ky i fundit iu bashkua Juventusit në vitin 2018. Por debati global nuk po zhdukej.
Ronaldo u kthye tek Unitedi para se të transferohej në Arabinë Saudite tek Al-Nassr. Messi u transferua te PSG përpara se të nënshkruante me Inter Miamin në SHBA.
Rivaliteti nuk ishte vetëm në fushë. Ndikimi global i lojtarëve është i mahnitshëm.
Për shembull Ronaldo u transferua te Juventusi dhe u shitën 520 mijë fanella të tij brenda 24 orëve. Në vitin 2021, Messi transferohet te Parisi dhe shiten 150 mijë fanella për vetëm shtatë minuta. Kalimi i Ronaldos tek Unitedi solli dyfishin e të hyrave nga shitja e fanellave, në krahasim me të hyrat e shitjes së fanellave të Messit te PSG.
Në “Instagram”, Messi i ka 700 milionë ndjekës, Messi 500 milionë. Fotografia më e pëlqyer në “Instagram” është e Messit me Kupën e Botës. Ka mbi 75 milionë pëlqime.
Financiarisht, Ronaldo është para.
Por historia nuk ka përfunduar. Me Argjentinën dhe Portugalinë që mund të takohen në fazë të vonshme të Kupës së Botës, akti i fundit mund të jetë gati.



