
Shumë gjëra po bëhen “nën radar” për të gjetur një zgjidhje që Maqedonia e Veriut të mund t’i fillojë negociatat me Bashkimin Evropian. Këtë e deklaroi ambasadori i BE-së në vend, Mihalis Rokas, duke komentuar deklaratën e kryeministrit Hristijan Mickoski se Qeveria është e gatshme për zgjidhje dhe dialog konstruktiv për të tejkaluar bllokadën në procesin e integrimeve evropiane, por se nuk do të bëjë lëshime të pakushtëzuara dhe se identiteti maqedonas duhet të mbrohet.
“Unë sinqerisht shpresoj se gjërat do të mund të ecin përpara. Mendoj se tashmë po bëhet shumë punë nën radar, e cila nuk shihet, me qëllim që të përfundojnë gjërat. Siç e thashë, shpresoj se së shpejti do të gjendet një zgjidhje që do ta hapë rrugën për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian”, deklaroi Rokas.
Rokas dërgoi edhe një mesazh për Maqedoninë e Veriut në kontekst të “super të martës” së sotme në Bashkimin Evropian, ditë në të cilën në Bruksel po mbahen katër konferenca ndërqeveritare të anëtarësimit me Malin e Zi, Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë.
Mesazhi i Rokasit për Maqedoninë e Veriut është i qartë: ai shpreson që vendi së shpejti të mund ta ndjekë këtë rrugë dhe ta shfrytëzojë këtë moment për t’i nisur negociatat e anëtarësimit me BE-në.
“Mesazhi është shumë i qartë. Procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian është në fakt një investim në sigurinë, stabilitetin, prosperitetin dhe konkurrueshmërinë e vetë Bashkimit Evropian. Siç e shihni, ky proces tashmë po ecën shumë shpejt, kemi shtypur gazin dhe tashmë janë katër vende me të cilat procesi i zgjerimit po zhvillohet me ritëm shumë të shpejtë. Ne sinqerisht shpresojmë që edhe Republika e Maqedonisë së Veriut së shpejti të mund ta ndjekë këtë rrugë, me qëllim që t’i hapë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian”, theksoi Rokas.
Mesazhi i Rokasit se po punohet “nën radar” dhe se vendi duhet ta shfrytëzojë mundësinë për t’i nisur negociatat me BE-në vjen vetëm një javë pas vizitës së eurokomisares Marta Kos. Ajo deklaroi se hapi i domosdoshëm i radhës për fillimin formal të negociatave të anëtarësimit janë ndryshimet kushtetuese, por gjithashtu theksoi se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian nuk ndërtohet mbi garanci që u jepen paraprakisht vendeve kandidate.


