
Sipas të dhënave më të fundit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Sektori për Punë të Brendshme në Kumanovë ka ngritur kallëzim penal ndaj P.A. (18) nga fshati Llojan i Komunës së Likovës, si dhe ndaj dy të miturave të moshës 14 dhe 15 vjeç nga Kumanova, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “dhunë”, sipas nenit 386, paragrafi 3 të Kodit Penal.
Një video e publikuar ditët e fundit në rrjetet sociale, ku tri vajza ushtrojnë dhunë fizike ndaj një 14-vjeçareje nga Kumanova, ka rikthyer në qendër të vëmendjes një fenomen që po merr përmasa gjithnjë e më shqetësuese, dhunën mes bashkëmoshatarëve dhe shndërrimin e saj në spektakël për rrjetet sociale. Edhe pse ngjarja kishte ndodhur katër muaj më parë, ajo u denoncua në polici vetëm pasi pamjet u bënë publike, duke ngritur pikëpyetje jo vetëm për frikën e viktimave për të raportuar, por edhe për mënyrën se si dhuna po normalizohet mes të rinjve, shkruan gazeta KOHA.
Rasti i Kumanovës nuk është i izoluar. Vetëm gjatë muajit të fundit janë publikuar edhe raste të tjera të ngjashme në Shkup dhe Tetovë, ku viktimat janë rrahur, poshtëruar dhe filmuar nga bashkëmoshatarët, ndërsa videot janë shpërndarë në rrjetet sociale. Në vend që telefonat celularë të shërbejnë për të kërkuar ndihmë, në shumë raste ato janë kthyer në mjet për regjistrimin dhe publikimin e dhunës.
Sipas të dhënave më të fundit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Sektori për Punë të Brendshme në Kumanovë ka ngritur kallëzim penal ndaj P.A. (18) nga fshati Llojan i Komunës së Likovës, si dhe ndaj dy të miturave të moshës 14 dhe 15 vjeç nga Kumanova, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “dhunë”, sipas nenit 386, paragrafi 3 të Kodit Penal. “Më 13 mars 2026, rreth orës 18:00, të dyshuarat e kanë thirrur një vajzë 14-vjeçare që të dalë nga shtëpia e saj, pas së cilës e kanë bindur të hyjë në një dhomë pranë qendrës sportive ‘Sokolana’ në Kumanovë. Atje, fillimisht e kanë fyer, e më pas e kanë sulmuar fizikisht, duke e regjistruar të gjithë incidentin me telefon celular. Pas dhunës, të dyshuarat e kanë kërcënuar të miturën që të mos e raportojë incidentin dhe të mos flasë për videon e regjistruar, duke i thënë se, në të kundërtën, do t’i ndodhte diçka edhe më e keqe”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Nga Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë konfirmuan se rasti po trajtohet me procedurë urgjente. Kryetarja e Prokurorisë, Teuta Bediu-Ramadani, bëri të ditur se menjëherë pas publikimit të videos është hapur lëndë, ndërsa për 18-vjeçaren është caktuar masa e paraqitjes së detyrueshme një herë në javë, ndërsa dy të miturat do të ndiqen sipas dispozitave që rregullojnë përgjegjësinë e fëmijëve. Ndërkaq, brenda këtij viti, sipas MPB-së, ky është rasti i tretë kur grupe të rinjsh ushtrojnë dhunë ndaj bashkëmoshatarëve, ndërsa incidentet filmohen me qëllim publikimin në rrjetet sociale.
Burime për gazetën KOHA bëjnë të ditur se njëra nga vajzat e përfshira në rast, nga Komuna e Likovës, edhe më herët kishte shfaqur sjellje problematike në ambientin e shkollës dhe, sipas tyre, ishte përjashtuar dy herë nga shkolla për incidente të ngjashme. Këto informacione nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga institucionet arsimore, por nëse rezultojnë të sakta, do të nënkuptonin se nuk bëhet fjalë për një incident të izoluar, por për një model sjelljeje që nuk është trajtuar në kohë.
KUR DHUNA BËHET MJET PËR FAMË NË RRJETET SOCIALE
Sociologu Gazmend Dervodeli për gazetën KOHA vlerëson se rastet e fundit nuk mund të shihen si incidente të izoluara, por si pasojë e ndryshimeve që kanë sjellë rrjetet sociale në mënyrën se si të rinjtë kërkojnë pranimin dhe vëmendjen e bashkëmoshatarëve. “Mendoj se rritja e rasteve të dhunës mes bashkëmoshatarëve është pasojë e disa faktorëve që janë ndërthurur. Rrjetet sociale kanë krijuar një kulturë ku disa të rinj kërkojnë vëmendje dhe miratim përmes numrit të shikimeve dhe pëlqimeve, edhe kur kjo vëmendje vjen nga sjellje të papranueshme. Fakti që autorët e incizojnë dhe e publikojnë vetë dhunën tregon se, në shumë raste, ata nuk e perceptojnë peshën e veprimit të tyre ose besojnë se do të fitojnë mbështetje nga bashkëmoshatarët. Kjo është shqetësuese, sepse tregon mungesë empatie dhe ndërgjegjësimi për pasojat që dhuna lë tek viktima”, thotë Dervodeli.
Sipas tij, sot rrjetet sociale nuk ndikojnë vetëm në mënyrën e komunikimit, por edhe në mënyrën se si të rinjtë ndërtojnë identitetin e tyre. Kur popullariteti matet me klikime dhe shpërndarje, ekziston rreziku që edhe një akt dhune të perceptohet si rrugë për të fituar famë të menjëhershme. “Dëshira për famë të shpejtë dhe sfidat online mund t’i shtyjnë disa të rinj të kalojnë kufijtë e pranueshëm, pa menduar për pasojat. Prandaj është shumë e rëndësishme që të rinjtë të edukohen jo vetëm për përdorimin e teknologjisë, por edhe për vlerat njerëzore. Duhet t’u mësojmë se respekti, përgjegjësia dhe empatia kanë më shumë vlerë sesa fama e momentit në rrjetet sociale. Nëse arrijmë ta ndërtojmë këtë kulturë, do të kemi më pak dhunë dhe më shumë mirëkuptim mes të rinjve”, shton ai.
Dervodeli thekson se përgjegjësia nuk mund të bjerë vetëm mbi institucionet e rendit. Sipas tij, familja, shkolla dhe institucionet duhet të bashkëpunojnë më ngushtë për të identifikuar sjelljet problematike në fazat e hershme dhe për të parandaluar përshkallëzimin e tyre.
LIGJI PARASHIKON PËRGJEGJËSI, POR EKSPERTËT KËRKOJNË EDHE PARANDALIM
Juristja Arta Selmani për gazetën KOHA thotë se rasti i Kumanovës nuk duhet parë vetëm si një akt dhune fizike, pasi ai përfshin edhe elemente të cenimit të dinjitetit dhe privatësisë së viktimës përmes regjistrimit dhe publikimit të videos.
“Nga aspekti juridik, ky është një rast serioz që nuk përfshin vetëm dhunën fizike, por edhe cenimin e dinjitetit dhe privatësisë së viktimës përmes publikimit të videos. Vajza 18-vjeçare trajtohet si person i rritur dhe mund të mbajë përgjegjësi të plotë penale, ndërsa të miturat trajtohen sipas Ligjit për Drejtësi për Fëmijët, ku parashihen masa edukative, rehabilituese dhe mbikëqyrëse, por në raste më të rënda mund të aplikohen edhe masa më të ashpra të përcaktuara me ligj. Autoritetet duhet të hetojnë plotësisht përgjegjësinë individuale të secilit person të përfshirë”, shprehet Selmani.
Ajo thekson se reagimi institucional duhet të jetë i shpejtë dhe i vendosur, jo vetëm për të ndëshkuar autorët, por edhe për të dërguar një mesazh të qartë se dhuna nuk tolerohet. “Reagimi institucional duhet të jetë i shpejtë dhe efektiv, sepse ndëshkimi nuk ka vetëm karakter represiv, por edhe parandalues. Shoqëria nuk duhet ta normalizojë dhunën dhe as ta trajtojë atë si spektakël për rrjetet sociale. Krahas përgjegjësisë juridike, është e domosdoshme të përfshihen edhe shkollat, familjet, psikologët dhe qendrat për punë sociale, në mënyrë që të parandalohet përsëritja e rasteve të tilla dhe të ndërtohet një mjedis më i sigurt për fëmijët dhe të rinjtë”, vlerëson juristja.
Ndryshe ,në përpjekje për të parandaluar raste të ngjashme, Ministria e Arsimit ka paralajmëruar se nga shtatori do të nisë zbatimin e një programi me psikologë nëpër shkolla, i cili synon identifikimin e hershëm të shenjave të delikuencës dhe sjelljeve të dhunshme tek nxënësit.
Megjithatë, rasti i Kumanovës dëshmon se problemi nuk fillon në momentin kur publikohet një video në rrjetet sociale, por shumë më herët. Kur një akt dhune organizohet, filmohet, shoqërohet me kërcënime dhe më pas shpërndahet për të poshtëruar viktimën, nuk kemi të bëjmë më vetëm me një konflikt mes adoleshentësh. Kemi të bëjmë me një fenomen që kërkon reagim të koordinuar të familjes, shkollës, institucioneve dhe gjithë shoqërisë, në mënyrë që dhuna të mos shihet si mjet për famë, por si një sjellje që ka pasoja të rënda ligjore, sociale dhe njerëzore.


