LajmeMaqedoni

Shoqata “Debreshi” kërkon zgjidhje urgjente për krizën e ujit, paralajmëron protesta

Shoqata për Zhvillim dhe Përparim “Debreshi” ka reaguar sërish për problemin e furnizimit me ujë të pijshëm në fshatin Debresh të Gostivarit, duke vlerësuar se situata ka kaluar prej kohësh kufijtë e një problemi teknik dhe se banorët vazhdojnë të përballen me mungesë të vazhdueshme të ujit.

“Për shumë familje, mungesa e ujit është bërë pjesë e përditshmërisë, ndërsa në periudha të gjata furnizimi ka munguar pothuajse tërësisht”, thuhet në reagimin e Shoqatës për Zhvillim dhe Përparim “Debreshi”.

Në reagim rikujtohet se më 19 qershor 2026 banorët organizuan protestë para institucioneve lokale, pasi për një periudhë të gjatë nuk kishin furnizim të rregullt me ujë. Pas protestës, sipas shoqatës, janë zhvilluar takime dhe komunikime me pushtetin lokal dhe institucionet përgjegjëse, të cilat kishin premtuar masa dhe punime për përmirësimin e gjendjes.

“Por pavarësisht kontakteve, premtimeve dhe punimeve të paralajmëruara, problemi nuk është zgjidhur në mënyrë të qëndrueshme dhe qytetarët vazhdojnë të përballen me mungesë të ujit”, thonë nga Shoqata “Debreshi”.

Shoqata shpreh shqetësim edhe për zhvillimet e fundit lidhur me sigurinë e ujit të pijshëm në Gostivar, pas rastit të dyshuar të ndotjes së ujit, duke kërkuar transparencë të plotë nga institucionet për cilësinë dhe sigurinë e ujit që furnizon qytetarët.

Në reagim, kërkohet që institucionet të ndërmarrin masa urgjente për sigurimin e furnizimit me ujë në Debresh, të publikojnë një afat konkret për zgjidhjen përfundimtare të problemit, të bëjnë publike ecurinë e punimeve dhe përgjegjësit për projektin, si dhe deri në zgjidhjen e problemit të sigurojnë furnizim alternativ për banorët. Po ashtu, kërkohet publikimi i rezultateve të analizave të ujit, hetim i përgjegjësive eventuale institucionale dhe krijimi i një mekanizmi të drejtpërdrejtë komunikimi mes institucioneve dhe përfaqësuesve të qytetarëve.

“Në mungesë të një përgjigjeje konkrete dhe masave të menjëhershme, do të jemi të detyruar të përdorim të gjitha format e lejuara dhe demokratike të reagimit qytetar, duke përfshirë organizimin e protestave masive dhe forma të tjera të presionit qytetar”, paralajmërojnë nga Shoqata “Debreshi”.

Shoqata u bën thirrje edhe institucioneve qendrore dhe organeve mbikëqyrëse të përfshihen në zgjidhjen e problemit, ndërsa njofton se letrën ia ka dërguar edhe përfaqësive diplomatike dhe mediave për t’i informuar mbi situatën.

Përndryshe, më 17 korrik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) lëshoi ​​ndalesë për pirjen e ujit në Gostivar pasi u zbuluan pompa që drejtpërdrejt injektonin ujëra të zeza në sistemin e furnizimit me ujë. Inspektorët e AUV-së dolën në terren së bashku me policinë pasi u regjistrua një numër i rritur i qytetarëve me probleme me stomakun.

Disa ditë më vonë, më 20 korrik, drejtoresha e NP “Komunalec” nga Gostivari dhe dy punonjës të tjerë u ndaluan dhe kundër tyre u iniciua hetim për ndotjen e ujit në Gostivar. Ata dyshohen se me lëndë të dëmshme e kanë bërë të papërdorshëm ujin për pije në dhomën e tejmbushjes së sistemit që e furnizon me ujë Komunën e Gostivarit dhe disa fshatra përreth. Sipas hetimit më 25 qershor të dyshuarit kishin urdhëruar punonjësit të vendosnin tre pompa zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor të ndotur pranë dhomës së tejmbushjes së ujit të pijshëm për ta testuar presionin e ujit.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mori mostra të ujit, por edhe pse rezultatet e analizave ishin gati Qeveria dhe Prokuroria nuk i publikuan menjëherë. Pas insistimit të gazetarëve Prokuroria Publike i publikoi rezultatet sipas të cilave uji në Gostivar ka qenë jashtëzakonisht i ndotur dhe nuk duhej të përdorej për asnjë qëllim. Në ujë u zbuluan “baktere koliforme 2.419,6 cfu/100 ml, ndërkohë që kufiri maksimal i lejuar është 50 cfu/100 ml, ndërsa në mostrat e marra nga burimi i ujit u konstatua se në ujë ka një numër të rritur të kolonive bakteriale mezofile aerobe dhe prani të baktereve koliforme, ku sipas standardeve duhet të ketë 0 cfu/100 ml, ndërsa në ujë u gjetën 39 cfu/100 ml. Bëhet fjalë për sasi jashtëzakonisht të madhe të fekaleve në ujin e pijshëm.

Related Articles

Back to top button
Close
Close