LajmeMaqedoni

Ndryshimet Kushtetuese, Shkupi sërish kërkon garanci evropiane!

Paradoksi është i dukshëm: në kohën kur Qeveria kërkon garanci evropiane dhe një model të ri për anëtarësimin në BE, në videon zyrtare që rrëfen 35 vite shtetësi mungojnë pikërisht disa nga momentet që e kanë përcaktuar orientimin euroatlantik të vendit.

Derisa Qeveria shënon 25-vjetorin e MO-së dhe feston 35-vjetorin e pavarësisë me një video ku mungojnë pothuajse të gjitha gjurmët e rrugëtimit evropian të vendit, nga anëtarësimi në NATO deri te hapja e negociatave me BE-në, ministri i Jashtëm, Timço Mucunski thotë se Shkupi nuk pranon më zgjidhje që e lënë vendin në të njëjtin qorrsokak pas disa muajsh.

Në një intervistë për televizionin Sitel, Mucunski përsëriti qëndrimin e Qeverisë se ndryshimet kushtetuese duhet të shoqërohen me garanci të qarta dhe të besueshme, qoftë përmes zbatimit të shtyrë të ndryshimeve kushtetuese, qoftë përmes garancive nga institucionet evropiane. Krahas kësaj, ai kërkoi që në procesin e integrimit evropian të zbatohet parimi i reciprocitetit në respektimin e të drejtave të njeriut, duke e lidhur këtë drejtpërdrejt me pozitën e maqedonasve në Bullgari.

“Kur Bullgaria pret që ne ta fusim pakicën bullgare në Kushtetutën tonë, më e pakta që mund të bëjë është t’i respektojë aktgjykimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për të drejtat themelore të maqedonasve që jetojnë në territorin e Bullgarisë”, deklaroi Mucunski. Sipas tij, Qeveria dëshiron zgjidhje, por jo një formulë që do ta rikthente vendin në të njëjtën situatë pas disa javësh apo muajsh. “Ky është një zgjidhje e paqëndrueshme dhe do të krijojë krizë shtesë në integrimet tona evropiane. Për ne nuk ka asnjë dilemë se një zgjidhje e tillë është e papranueshme në këtë moment”, tha ministri.

SHKUPI KËRKON MODEL TË RI DREJT BE-së

Mucunski foli edhe për diskutimet në Bruksel për një model të ri të zgjerimit të BE-së. Sipas tij, debati është intensifikuar pas disa dokumenteve jozyrtare të publikuara nga vende anëtare, përfshirë propozimin franko-gjerman. Qëllimi, sipas tij, është krijimi i një koncepti të ri të zgjerimit, i cili do të ishte më i parashikueshëm dhe do t’u ofronte vendeve kandidate përfitime më të mëdha gjatë procesit të negociatave.

Por Shkupi, theksoi Mucunski, nuk dëshiron që një bashkëpunim i përforcuar me BE-në të shndërrohet në alternativë ndaj anëtarësimit të plotë. “Ky model nuk duhet të japë alternativë për anëtarësimin e plotë. Proceset e bashkëpunimit me vendet kandidate duhet të jenë paralele, ndërsa qëllimi përfundimtar i të gjitha proceseve duhet të jetë anëtarësimi i plotë”, tha ai. Ministri pranoi se Maqedonia e Veriut mund të japë qëndrimet e saj, por nuk është pjesë e vendeve që vendosin për modelin e ardhshëm të zgjerimit të BE-së.

“NUK KA NEGOCIATA SEKRETE ME BULLGARINË”

Mucunski mohoi edhe pretendimet për zhvillimin e bisedimeve sekrete apo “nën radar” për zhbllokimin e procesit evropian. Ai tha se që nga formimi i Qeverisë ka kontakte të vazhdueshme me ministrat e jashtëm të vendeve anëtare, përfaqësuesit e institucioneve evropiane, si dhe në nivelin e kryeministrit dhe presidentes së shtetit. Sipas tij, çështja kryesore në këto biseda është gjetja e një zgjidhjeje për kontestin bilateral me Bullgarinë, por me një dallim të qartë mes reformave evropiane dhe çështjeve dypalëshe. “Duhet t’u bëhet e qartë institucioneve evropiane dhe vendeve anëtare se duhet t’i jepet fund kërkesave që lidhen me identitetin, historinë, gjuhën dhe kulturën tonë”, tha Mucunski. Ai shtoi se përderisa Bullgaria nuk tregon gatishmëri për ta mbështetur rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut mbi bazën e vlerave evropiane, problemi mbetet i pazgjidhur.

INTEGRIMI EVROPIAN MUNGON NGA VIDEOJA SHTETËRORE

Qëndrimet e Mucunski për të ardhmen evropiane vijnë në një moment simbolik për vendin. Në videon e publikuar nga Qeveria për 35-vjetorin e pavarësisë, mungojnë disa prej pikave më të rëndësishme të rrugëtimit ndërkombëtar të Maqedonisë së Veriut. Në spot nuk është përfshirë anëtarësimi në NATO në vitin 2020, ndërsa mungon edhe momenti i hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian. Po ashtu, nuk janë përfshirë disa vizita dhe ngjarje ndërkombëtare me peshë simbolike, përfshirë vizitën historike të Papa Françeskut në vend.

Kjo ka nxitur kritika nga opozita, por edhe pyetje më të gjera mbi mënyrën se si pushteti aktual e përzgjedh historinë që dëshiron t’ua prezantojë gjeneratave të reja. Paradoksi është i dukshëm: në kohën kur Qeveria kërkon garanci evropiane dhe një model të ri për anëtarësimin në BE, në videon zyrtare që rrëfen 35 vite shtetësi mungojnë pikërisht disa nga momentet që e kanë përcaktuar orientimin euroatlantik të vendit.

Ndërkohë, Mucunski mbetet i prerë se qëllimi i Maqedonisë së Veriut duhet të jetë anëtarësimi i plotë në BE dhe jo një formë e përhershme e “partneritetit” apo integrimit parcial. Në thelb, mesazhi i Qeverisë është se Shkupi nuk kërkon më vetëm një tjetër premtim për hapjen e rrugës evropiane, por garanci se çdo kompromis i ri do ta çojë vendin drejt destinacionit përfundimtar, anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Related Articles

Back to top button
Close
Close