LajmeMaqedoni

E ardhmja e marrëveshjes së Ohrit: E ardhmja jonë e përbashkët

Ilir Kulla

 

Mirëdita dhe falënderimet e mia të sinqerta për organizatorët për ftesën për të marrë pjesë në këtë përkujtim të rëndësishëm, njëzet e pesë vjet pas atyre ditëve historike — ditë që ishin vendimtare jo vetëm për vendin tuaj, por për të gjithë rajonin tonë.

Sot, në këtë panel, na është kërkuar të flasim për të ardhmen e Marrëveshjes së Ohrit dhe për paqen e qëndrueshme.

Por unë do ta shtroja pak ndryshe:

Besoj se duhet të flasim për të ardhmen tonë të përbashkët.

Pyetja është: Çfarë është e ardhmja?

Do ta filloj me një histori të njëzet e pesë viteve më parë.

Ndodhesha këtu, në Shkup, dhe miku im Llazar Elenovski — i cili më vonë u bë ministër dhe ambasador, dhe që ka nënën shqiptare dhe babain maqedonas — më tha:

“Shkojmë të pimë një kafe me Tito Petkovskin.”

Në vitin 2000, Tito Petkovski kishte kandiduar për President.

Duke diskutuar për situatën e vështirë dhe delikate në vend, në ato ditë të vështira të pranverës së vitit 2001, ai më tha diçka që më ka mbetur në kujtesë:

“E gjithë kjo është absurde. Ta mendosh që vitin tjetër do të ulemi në të njëjtin Parlament dhe në të njëjtën Qeveri me ata që sot kanë dalë në mal.”

Parashikimi i Tito Petkovskit ishte jashtëzakonisht i saktë.

Sigurisht, ai nuk hodhi fall. Ishte përvoja e gjatë e jetës dhe e politikës që e bënte realist në vlerësimin e drejtimit që mund të merrnin ngjarjet.

Prandaj, kur mendoj për të ardhmen tonë të përbashkët, do t’i referohem diçkaje që e shpjegoj në universitet kur më ftojnë për të mbajtur leksione.

Sistemet ndërkombëtare të sigurisë mund të kuptohen përmes pesë shtyllave kryesore të sigurisë.

E para është ekonomia.

Më kujtohet se rreth dhjetë vjet më parë — dhe jam i sigurt se miku im Izet Mexhiti e kujton, sepse kemi qenë së bashku në një aktivitet të ngjashëm të organizuar atëherë nga BDI — i thashë Ali Ahmetit:

“I dashur miku im, rinia do të shohë nga e ardhmja. Rinisë i duhet shpresa dhe shpresën e jep ekonomia.”

Edhe sot mendoj saktësisht të njëjtën gjë.

Maqedonia e Veriut ka qenë dikur Republika më e varfër e ish-Jugosllavisë. Republika më e pasur ishte Sllovenia, e cila sot është anëtare e Bashkimit Evropian.

Dhe, miq, Sllovenia as sot nuk është ndër ekonomitë më të mëdha të Evropës.

Prandaj le ta shtrojmë pyetjen:

A mund të ndërtojmë vërtet një të ardhme të përbashkët evropiane me ekonomi të dobëta?

Përgjigjja është vetëm një:

Bashkëpunim i fuqishëm për të forcuar të gjitha ekonomitë tona të vogla.

Shtylla e dytë është shëndetësia.

Më kujtohet ajo tragjedi e kobshme kur u dogj spitali modular në Tetovë gjatë pandemisë së COVID-19.

Vdekja nuk të sheh në sy dhe nuk të pyet nëse je maqedonas, shqiptar, serb, bullgar apo i ndonjë kombësie tjetër.

Ashtu siç të gjithë meritojmë një jetë të mirë, meritojmë edhe dinjitet në fund të jetës, kurdo që ai moment të vijë.

Prandaj, nëse flasim për të ardhmen evropiane të vendit tuaj dhe të rajonit tonë, ajo e ardhme nuk mund të ekzistojë pa sisteme shëndetësore të një niveli të lartë.

Shtylla e tretë është demografia.

Më kujtohet një takim me Papa Françeskun, të cilin e kam njohur që kur ishte Kryepeshkop i Buenos Airesit në vitin 2008.

Ai e vuri gishtin drejtpërdrejt mbi plagë kur tha:

“Evropës po i vjen Dimri Demografik.”

Largimi i të rinjve, rënia e lindjeve dhe ardhja e punëtorëve nga Azia tashmë janë një fenomen gjithnjë e më i dukshëm në të gjithë rajonin tonë.

Më lejoni ta them shumë thjesht.

Kushëriri im në Leskovik nuk po gjen më një bari nga rajoni ynë për të kullotur lopët e tij — dhe është detyruar të sjellë një punëtor nga India.

Nëse nuk duam që pasardhësit tanë të na gjykojnë ashpër kur të vijë 50-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit, duhet një reflektim i thellë mbi demografinë.

Shtylla e katërt është mjedisi.

Çdo vit shohim të shkatërrohen pyje dhe më pas përballemi me katastrofa natyrore me pasoja që mund të zgjasin për dekada.

Në Shqipëri përjetuam një tërmet të tmerrshëm në vitin 2019.

Dhe ju këtu, në Shkup, e dini shumë mirë se çfarë pasojash shkatërruese pati tërmeti i viteve ’60.

Prandaj, miq, nuk mund të kemi të ardhme pa një mjedis të shëndetshëm dhe të mbrojtur mirë.

Nuk mund të presim që dikush nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo nga Rusia të vijë dhe të mbrojë malet tona, pyjet tona, lumenjtë tanë dhe liqenet tona të bukura.

Duhet t’i mbrojmë vetë.

Dhe kjo është pjesë e së ardhmes sonë të përbashkët.

Shtylla e pestë është lufta dhe paqja.

Dhe nëse nuk duam luftë, na duhet paqe e qëndrueshme dhe afatgjatë.

Por paqja e qëndrueshme nuk vjen vetvetiu.

Që të kemi paqe, duhet t’i kemi katër shtyllat e tjera të sigurisë në mendje — çdo ditë dhe çdo orë — dhe të punojmë pa u lodhur për të ardhmen e fëmijëve tanë.

Jetojmë në një botë që po ndryshon me shpejtësinë e internetit.

Po hyjmë në një botë ku inteligjenca artificiale do të jetë çdo ditë e më shumë e pranishme në jetën tonë.

Dhe nëse nuk duam që historia të na gjykojë ashpër, universitetet tona duhet të synojnë të jenë ndër 50 universitetet më të mira të Evropës.

Edhe spitalet tona duhet të synojnë të njëjtin nivel përsosmërie.

Vendet tona — vende të bukura, modeste, por me potencial të jashtëzakonshëm — kanë çdo mundësi të bëhen ndër vendet më të suksesshme të kësaj pjese të Evropës.

Dhe të rinjtë tanë, si dhe brezat që do të vijnë pas tyre, meritojnë prosperitet, dinjitet dhe siguri.

Do ta mbyll këtë reflektim për të ardhmen duke cituar një figurë të shquar evropiane të së kaluarës, ish-Kryeministrin italian Giulio Andreotti, i cili dikur tha:

“Përvoja është shuma e të gjitha zhgënjimeve që na ka dhënë jeta.”

Dhe ndoshta kjo është garancia më e madhe për një të ardhme me paqe dhe prosperitet:

përvoja që kemi fituar — një përvojë që vjen edhe nga luftërat e dhimbshme dhe të përgjakshme të ish-Jugosllavisë.

Ne kemi paguar tashmë një çmim shumë të lartë për mësimet e historisë.

Përgjegjësia e brezit tonë është të sigurohemi që brezi i ardhshëm të mos ketë nevojë të paguajë përsëri të njëjtin çmim.

Ju faleminderit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close