LajmeMaqedoni

Shkupi me mbështetje psikologjike falas për nxënësit e shkollave të mesme

Qyteti i Shkupit do të ofrojë mbështetje psikologjike falas për nxënësit e shkollave të mesme të moshës 15 deri në 19 vjeç në Shkup. Projekti, siç informoi kryetari i qytetit, Orce Gjorgjievski, do të realizohet përmes dy aktiviteteve: këshillimit psikologjik dhe punëtorive edukative.

Këshillimi psikologjik përfshin seanca individuale falas për mbështetje emocionale, bisedë, mirëkuptim dhe ndihmë profesionale për të rinjtë, dhe do të zhvillohet në tre lokacione – në Kozle, Aerodrom dhe Qendër. Punëtoritë edukative janë të destinuara për stafin profesional dhe prindërit nga 23 shkolla të mesme, me fokus në parandalimin e dhunës, përballimin e varësive dhe përmirësimin e shëndetit mendor tek të rinjtë.

“Nuk ka detyrë më të rëndësishme sesa kujdesi për të rinjtë, për shëndetin e tyre mendor, sigurinë, qetësinë dhe ndjenjën se nuk janë vetëm. Jetojmë në një kohë kur të rinjtë shpesh mbajnë një barrë të heshtur: presione, frikëra, pasiguri, sfida në shkollë, në shtëpi apo në shoqëri. Ndonjëherë u duhet vetëm një bisedë, një person që i dëgjon, një vend ku të ndihen të kuptuar… Asnjë fëmijë, asnjë i ri nuk duhet të ndihet i vetëm, i harruar apo pa mbështetje”, tha kryetari i qytetit.

Të gjithë nxënësit e interesuar dhe prindërit mund të marrin informacione të plota ose të caktojnë termin në numrin e telefonit 075 422 781.

Related Articles

Back to top button
Close
Close