
Shefi i Shtabit të misionit të KFOR-it, gjeneral brigade Chad Daniels, ka vizituar pjesëtarët e KFOR-it që veprojnë në Mitrovicë, ku ka parë nga afër përpjekjet e vazhdueshme të Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe (MSU) dhe Ekipeve të Ndërlidhjes dhe Monitorimit (LMT) në mbështetje të misionit të KFOR-it në Mitrovicë dhe në veri të Kosovës.
“Pjesëtarët e MSU-së kontribuojnë në praninë e dukshme dhe të lëvizshme të KFOR-it në fushën e sigurisë dhe në gatishmërinë e tij, ndërsa Ekipet e Ndërlidhjes dhe Monitorimit mbajnë kontakte të rregullta me të gjitha komunitetet lokale, duke kontribuar në ndërgjegjësimin e KFOR-it për situatën dhe në kuptimin e mjedisit të sigurisë”, tha gjeneral brigade Daniels.
“Ajo që kam parë nga pjesëtarët tanë tregon se si KFOR-i po përshtat qëndrimin e tij, duke ruajtur njëkohësisht kapacitetet më të rëndësishme: praninë e dukshme, ndërgjegjësimin e fortë për situatën, angazhimin me të gjitha komunitetet lokale dhe forcat e gatshme për të reaguar kur është e nevojshme, në përputhje me mandatin tonë afatgjatë të Kombeve të Bashkuara.”
KFOR-i po vazhdon të optimizojë qëndrimin e tij, ndërsa ky proces mbetet gradual, i bazuar në kushtet në terren dhe i mbështetur në vlerësime të vazhdueshme të situatës.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe në lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë.



