LajmeMaqedoniSport

Shkupi dhe Shkëndija marrin fitore, humb Struga në shtëpi

Pasditja e kësaj të diele ka sjell të gjitha ndeshjet e xhiros së 29-të në program të Superligës së Maqedonisë së Veriut.

Fitore në këtë xhiro morën, Shkupi, Shkëndija dhe Voska Sport, teksa Struga Trim Lum gaboi, duke u mundur në shtëpi nga Sileksi i Kratovës.

Skuadra e Shkupit mori fitore dramatike në Çair, aty ku në minutat shtesë siguroi golin e fitores për rezultat 3:2 përballë ekipit të Tikveshit nga Kavadari. Fillimisht Arbi Vosha avansoi, ndërsa Tikveshi iu kundërpërgjigjë me dy golat e shqiptarit, Edis Spahiu.

Ekipi i Shkupit në minutat e fundit, barazoi fillimisht me Avornyo dhe pikërisht i njejti futbollist shënoi edhe golin e tretë dhe të fitores minutat shtesë.

Fitore pa “kokë-dhimbje” mori Shkëndija në Tetovë, ku me shifra bindëse 4:1 mundi Gostivarin. Dy golat e parë i shënoi Adenis Shala, ndërsa në dy golat tjerë kontribuan Fiton Ademi dhe Erald Çinari. Golin e vetëm për Gostivarin e shënoi, Kehinde që rezultoi të jetë vetëm për statistikë.

Voska Sport që lufton për mbijetesë, triumfoi me shifra 4:0 përballë Bregallnicës së Shtipit në Ohër. Dy herë Jasharoski dhe nga njëher Georgiev dhe Marusic ishin realizator të golave për Voskën në këtë përballje.

Në dy takimet tjera të kësaj xhiroje, Brera mposhti Vardarin në Strumicë me rezultat 2:0, përderisa Rabotniçki me Makedonija Gjorçe Petrovin u ndanë me barazim 1:1.

Ndeshjet e radhës në Superligën e Maqedonisë së Veriut janë në program me 1 maj. 

Related Articles

Back to top button
Close
Close