
Ukraina njoftoi të shtunën se 27 persona janë vrarë dhe më shumë se 40 të tjerë janë plagosur në një sulm rus me dron ndaj një depoje pranë kryeqytetit të vendit, Kiev, transmeton Anadolu.
Tymur Tkachenko, kreu i Administratës Ushtarake të Qytetit të Kievit, konfirmoi numrin e viktimave, duke shtuar se 42 persona, përfshirë katër fëmijë, janë plagosur në sulmin në rrethin Buça të rajonit të Kievit.
Ai shtoi se rreth 50 ndërtesa banimi janë dëmtuar në shkallë të ndryshme.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha në platformën sociale amerikane X se një depo në fshatin Myla është goditur nga një dron, i cili ka dëmtuar edhe infrastrukturën përreth.
Mes të vrarëve ka qenë edhe Taras Didych, kreu i komunitetit rural Dmytrivka, tha ai.
“Më shumë se 370 persona janë evakuuar tashmë dhe evakuimi po vazhdon… Ata që e kanë lejuar të ndodhë kjo duhet të mbajnë përgjegjësi për vendimet e tyre”, tha Zelenskyy.
Ai më tej tha se hetuesit kanë nisur procedurë penale me “akuza për neglizhencë zyrtare”.
“Ekzistojnë rregulla në fuqi – municioni nuk mund të ruhet pranë shtëpive ose zonave të tjera të banuara”, shtoi ai.
Forcat Ajrore të Ukrainës pretenduan se mbrojtja ajrore e vendit ka rrëzuar 233 nga 267 dronët e lëshuar nga Rusia gjatë natës. Ato gjithashtu pretenduan se janë lëshuar një raketë lundruese Oniks dhe një raketë balistike Iskander-M, por nuk dha detaje mbi vendndodhjen e tyre.
Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se forcat e saj kanë goditur qendra logjistike në kryeqytetin ukrainas, Kiev, dhe në rajonin përreth Kievit gjatë sulmeve të natës.
Ministria më tej tha se ka goditur një depo municioni në fshatin Myla, ku, sipas saj, “janë ruajtur komponentë dhe përforcues për mjetet ajrore pa pilot me rreze të gjatë FP-1/FP-2”.
– Sulme në portet e Odesës dhe Mykolaivit
Rusia gjithashtu pretendoi se ka goditur objekte në portin e Izmailit, në rajonin jugor të Odesës, si dhe në portin e Mykolaivit.
Guvernatori i Odesës, Oleh Kiper, tha se një person është vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur pas sulmeve në rajonin jugor të Ukrainës.
“Si pasojë e sulmit, pesë kamionë me drithëra janë shkatërruar plotësisht nga zjarri, ndërsa tre kamionë të tjerë janë dëmtuar”, tha Kiper, duke shtuar se zjarri është shuar.
Ndërkohë, guvernatori në detyrë i Mykolaivit, Heorhii Reshetilov, raportoi dëme në objektet energjetike, duke thënë se më shumë se 300.000 abonentë kanë mbetur pa energji elektrike.
Verifikimi i pavarur i këtyre pretendimeve është i vështirë për shkak të luftës në vazhdim.
Moska dhe Kievi kanë shënjestruar gjithnjë e më shumë qendrat logjistike të njëri-tjetrit, si dhe infrastrukturën portuale dhe energjetike gjatë muajve të fundit.
Të dyja palët mohojnë se shënjestrojnë qëllimisht infrastrukturën civile, duke këmbëngulur se sulmet e tyre drejtohen ndaj objektivave ushtarake ose objekteve të lidhura me aktivitetet ushtarake.



