
Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, që synon zëvendësimin përfundimtar të Balancuesit të shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, vazhdoi të diskutohet në Komisionin parlamentar për Sistem Politik.
Eksperti Prof.Dr. Jeton Shasivari, pjesë e grupit punues që hartoi tekstin, e paraqiti propozim-ligjin si një hap me peshë kushtetuese. “Ligji nuk është vetëm një ligj, por është një vulë përfundimtare dhe operative e pikës 4.2 të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe amendamentit 6 të Kushtetutës,” tha ai, duke shtuar se ligji “rregullon respektimin, afirmimin, monitorimin, promovimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në të gjitha nivelet e institucioneve shtetërore dhe publike” dhe se “është rojtar i rendit kushtetues, sepse nuk ia lë barazinë rastësisë apo vullnetit të mirë.”
Sipas Shasivarit, risia kryesore qëndron tek përkufizimet ligjore që ligji i sjell për herë të parë. “Përfaqësimi adekuat pasqyron përafërsisht popullsinë, bazuar në regjistrimin e fundit, si referencë… Pra ligji përdor të dhëna, jo hamendje,” tha ai, ndërsa për përfaqësimin e drejtë theksoi se ai “siguron trajtim dhe mundësi të barabarta, duke respektuar rregullat e kompetencës dhe integritetit” duke e lidhur “në mënyrë të qartë përfaqësimin etnik me sistemin e meritës, duke mos sakrifikuar cilësinë për sasinë”.
Për arsyet e heqjes së Balancuesit, ai ishte i prerë. “Balancuesi si një vegël digjitale, tashmë antievropiane për shkak se u kritikua me raportin e Komisionit Evropian të vitit 2023, dhe antikushtetuese për shkak se u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese në tetor të vitit 2024, shpesh ishte abuzuar dhe ishte një vegël e gabuar matematikore e ish-qeverisë”, theksoi Shasivari.
Pikërisht kjo qasje, gjeti kundërshtim tek profesori universitar pranë UNT-së, Argetim Saliu, i cili e kundërshtoi premisën se punësimet e deritanishme kanë qenë të pamerituara. “Shihet se ekziston një lloj tendence dhe po krijohet një përshtypje se, thonë, punësimet përmes ‘Balancuesit’ kanë qenë të pamerituara, në kundërshtim dhe pa respektuar kriteret dhe sistemin e meritave. Kjo nuk është e vërtetë” tha Saliu, duke kujtuar se gjatë çdo punësimi, detyrimisht janë zbatuar kriteret e përcaktuara ligjore, kushtet e parapara në sistematizimin e vendeve të punës, si dhe procedurat për verifikimin e profesionalizmit dhe kompetencës së kandidatëve.
Saliu u fokusua më tej tek neni 6, që rregullon vetëdeklarimin e përkatësisë etnike, duke e cilësuar si një nga pikat më të ndjeshme të tërë tekstit. “Ekzistojnë dilema serioze rreth mënyrës së përcaktimit të përkatësisë etnike, sepse zgjidhja e propozuar nuk ofron siguri të mjaftueshme juridike dhe lë hapësirë për interpretime të ndryshme dhe keqpërdorime të mundshme” paralajmëroi ai, duke shtuar, “Me letërnjoftim mund të identifikohet emri dhe mbiemri, por jo edhe kombësia”.
Për këtë arsye, Saliu tha se konsideron që përkatësia etnike ka një rol të rëndësishëm dhe duhet të qëndrojë si një shprehje e detyrueshme, ndërsa pas heqjes së Balancuesit është e domosdoshme vendosja e një kornize të fortë institucionale dhe mekanizmash të qartë ndëshkues, të cilët do të garantojnë se përfaqësimi i duhur dhe i drejtë do të zbatohet në praktikë.



