
Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka uruar Shkëndijën e Tetovës për fitoren ndaj skuadrës sllovene NK Bravo dhe kualifikimin në turin e tretë të Ligës së Konferencës. Përmes një postimi publik, Meidani e cilësoi paraqitjen e skuadrës tetovare si spektakolare, duke vlerësuar lojën, karakterin dhe shpirtin luftarak të futbollistëve.
“Urime kampionëve të Shkëndijës së Tetovës për lojën spektakolare, fitoren e merituar ndaj skuadrës sllovene dhe kualifikimin në turin e tretë të Ligës së Konferencës. Kur luhet me zemër, karakter dhe krenari kuqezi, asnjë sfidë nuk është e pakalueshme. Sonte të gjithë festojmë me ju!”, ka shkruar ambasadori Meidani.
Shkëndija siguroi kualifikimin pas një paraqitjeje bindëse, duke vazhduar rrugëtimin në garat evropiane dhe duke sjellë një tjetër sukses për futbollin shqiptar në Maqedoninë e Veriut.



