
Drejtori i Klinikës Universitare të Urologjisë, Bashkim Shabani, ka njoftuar se klinika në kuadër të Qendrës Klinike “Nënë Tereza” në Shkup është rinovuar tërësisht, duke e cilësuar këtë si një dëshmi se edhe shëndetësia publike mund të ofrojë standarde moderne të trajtimit.
Në një status të publikuar në rrjetet sociale, Shabani thekson se fotografitë e publikuara nuk janë nga një klinikë private, por nga Klinika Universitare e Urologjisë, e cila, sipas tij, është transformuar plotësisht gjatë 24 muajve të fundit.
“Për shumë vite ishim mësuar të besonim se kushte bashkëkohore, pajisje moderne dhe hapësira funksionale mund të gjendeshin vetëm në spitalet private. Sot po dëshmojmë se edhe shëndetësia publike mund të jetë shembull i mjekësisë moderne, kur udhëhiqet nga vizioni, përkushtimi dhe puna ekipore”, shkruan Shabani.
Ai thekson se investimet e realizuara kanë pasur për qëllim që pacientët të marrin kujdes shëndetësor cilësor në kushte dinjitoze, ndërsa personeli mjekësor të punojë në ambiente moderne, të sigurta dhe funksionale.
Sipas Shabanit, transformimi i Klinikës Universitare të Urologjisë është arritur për vetëm 24 muaj, duke shtuar se “ndryshimet nuk premtohen, por krijohen, shihen dhe mbeten”.



