
Njëri prej më të përgjuarve nga shërbimet sekrete të Maqedonisë, Rufi Osmani nga Gostivari, në seancën e djeshme për përgjimin masiv “Target-Fortesa” është shqetësuar derisa ka dhënë dëshmi. Ai ka thënë se ka dyshuar se është i përgjuar në periudhën prej vitit 2008 deri në vitin 2015-të, derisa ka qenë kryetar i Gostivarit, a më pas edhe si kryetar i partisë. Osmani ka rrëfyer se ai dhe familja e tij kanë jetuar si në përditshmëri ferri duke e ditur se Policia Sekrete ia di problemet private, njofton Portalb.mk.
Kaploi heshtja në sallë të gjykimit. Ai kërkoi falje që është shqetësuar.
Më pas tha se për tre vite të tëra policia, gjegjësisht organet e përndjekjes e kanë keqtrajtuar me hetime të paramenduara për ndërtim pa leje për një kat të shtëpisë i cili është ndërtuar në mënyrë legale, ashtu sikur në fakt, tërë shtëpia. E kanë keqtrajtuar për prejardhjen e pronës, dhe kur e ka dëshmuar edhe për denarin e fundit për shtëpinë familjare se është nga mjetet që ia ka dërguar babai i tij që ka punuar jashtë vendit, kanë hequr dorë nga përndjekja kundër tij.