LajmeMaqedoniTopLajm

Ritet numri i të infektuarve me virusin e Nilit në Maqedoninë e Veriut, ja cilat janë simptomat dhe si të veproni!

Numri i personave të infektuar me virusin e Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut ka arritur në tetë. Shtatë raste janë konfirmuar laboratorikisht, ndërsa një rast konsiderohet i mundshëm, konfirmuan dje nga Instituti i Shëndetit Publik, shkruan Top24

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë kanë paralajmëruar për rritjen e rasteve të virusit të Nilit Perëndimor në disa pjesë të Evropës Jugore. Kujdes i shtuar rekomandohet për personat që gjatë verës udhëtojnë në Itali, Greqi, Spanjë, Rumani dhe Maqedoninë e Veriut.

Virusi transmetohet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara, të cilat zakonisht infektohen pasi ushqehen me zogj të infektuar. Ai nuk transmetohet nga një person te tjetri përmes kontaktit të zakonshëm.

Shumica e të infektuarve nuk shfaqin simptoma ose kanë simptoma të lehta. Rreth 20 për qind e rasteve zhvillojnë ethe të lehta, të shoqëruara me:

  • temperaturë;
  • dhimbje koke;
  • dhimbje të trupit;
  • lodhje;
  • skuqje të lëkurës;
  • nyje limfatike të enjtura;
  • dhimbje në sy.

Në më pak se 1 për qind të rasteve mund të zhvillohen komplikime serioze neurologjike, si:

  • encefaliti (pezmatimi i trurit);
  • meningoencefaliti;
  • pezmatimi i palcës kurrizore;
  • paralizë akute ose dobësi e papritur e muskujve.

Shenjat që kërkojnë ndihmë të menjëhershme mjekësore përfshijnë:

  • temperaturë të lartë;
  • dhimbje të forta koke;
  • ngurtësim të qafës;
  • konfuzion ose çorientim;
  • mungesë koordinimi;
  • konvulsione;
  • paralizë ose dobësi të papritur.

Periudha e inkubacionit zakonisht zgjat nga 3 deri në 14 ditë pas pickimit nga mushkonja e infektuar. Aktualisht nuk ekziston vaksinë e miratuar për njerëzit dhe as terapi specifike antivirale për këtë virus. Shumica e pacientëve shërohen pa trajtim të veçantë, ndërsa rastet e rënda mund të kërkojnë trajtim spitalor.

Ekspertët rekomandojnë masa parandaluese për të ulur rrezikun e infektimit:

  • përdorimin e repelentëve kundër mushkonjave;
  • veshjen e rrobave që mbulojnë sa më shumë trupin;
  • shmangien e zonave me shumë mushkonja, veçanërisht në muzg dhe në orët kur ato janë më aktive;
  • largimin e ujërave të ndenjura pranë banesave, ku mushkonjat shumohen. Top24

Related Articles

Back to top button
Close
Close