
Regjistrime audio të ish-presidentit amerikan Joe Biden, të cilat ai kishte luftuar për vite me radhë që të mbeteshin private, janë bërë publike nga republikanët në Kongresin amerikan.
Bëhet fjalë për biseda mes Bidenit dhe shkrimtarit Mark Zwonitzer, i cili po punonte për kujtimet e tij të vitit 2017 me titull “Promise Me, Dad”. Regjistrimet janë bërë gjatë periudhës së përgatitjes së librit.
Audio recordings that former President Joe Biden fought for years to keep private have now been released. CBS News received two hours of audio recordings, from roughly 70 hours of tapes cited in a 2024 special counsel’s report, which said Biden kept volumes of notes at his home… pic.twitter.com/Zv9uIRqNAW
— CBS News (@CBSNews) July 28, 2026
Në një tjetër regjistrim të tetorit 2016, kur ai ende ishte zëvendëspresident i administratës së Barack Obamës, Biden i thotë bashkëautorit: “Kam shënime të shumta nga kjo periudhë… Ata (Shtëpia e Bardhë) nuk e dinin që i kisha këto.”
Regjistrimet u publikuan pasi republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve dhe organizata konservatore Oversight Project ndërmorën një betejë ligjore për t’i siguruar ato. Materialet ishin përdorur më herët në hetimin e Departamentit të Drejtësisë në vitin 2024 mbi mënyrën se si Biden kishte trajtuar dokumentet e klasifikuara.
Zëdhënësi i Bidenit, TJ Ducklo, kritikoi publikimin e regjistrimeve, duke e cilësuar atë si një tjetër shembull të përdorimit politik të Departamentit të Drejtësisë.
“Është e gabuar dhe, edhe pse presidenti Biden nuk pajtohet me vendimin e sotëm, ai respekton gjykatat dhe rolin jetik të një sistemi gjyqësor të pavarur në një demokraci të shëndetshme”, deklaroi ai.
Regjistrimet, që zgjasin më shumë se dy orë, përmbajnë edhe pjesë të redaktuara. Republikanët në Komitetin e Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve pretendojnë se këto redaktime kanë për qëllim të fshehin pjesë ku Biden përmend zbulimin e informacioneve të klasifikuara.
Në vitin 2024, prokurori special Robert Hur mori regjistrimet dhe transkriptet gjatë hetimit për trajtimin e dokumenteve nga Biden. Hur arriti në përfundimin se Biden kishte mbajtur në mënyrë të papërshtatshme disa materiale të klasifikuara, por nuk rekomandoi ngritjen e akuzave penale.
Sipas raportit të Hur, një nga arsyet ishte se një juri mund ta shihte Bidenin si “një burrë të moshuar, dashamirës dhe me kujtesë të dobët”.


