BotaLajme

Reuters: Çfarë tutje pas një jave bisedimesh e tensionesh për krizën e Ukrainës

Një vrull diplomacie mes Lindjes e Perëndimit këtë javë nuk prodhoi ndonjë rezultat të rëndësishëm për krizën në Ukrainë dhe tensionet në mënyrë të diskutueshme janë më të larta se më parë, pasi Ukraina pësoi një sulm masiv kibernetik dhe Rusia i përsëriti lëvizjet e trupave.

Reuters / Përktheu: Nasuf Abdyli

Megjithatë, bisedimet i kanë qartëzuar fushat për bisede të mundshme, ndonëse në një grup shumë më të kufizuar të temave sesa që ka kërkuar Rusia.

Më poshtë përshkruhen disa pika themelore nga takimet në Gjenevë, Bruksel dhe Vjenë, të cilat u zhvilluan në një moment kur më shumë se 100.000 trupa ruse janë të vendosura në një largësi goditëse nga kufiri ukrainas.

Askush nuk doli nga takimet

Zëvendësministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Ryabkov, e kishte përmendur mundësinë që bisedimet do të mund të dështonin që në rundin e parë, por ato shkuan rrjedhës së tyre. Zyrtarët nga të gjitha palët thanë se bisedimet ishin të vështira dhe të drejtpërdrejta, por miqësore.

Diplomacia vazhdon, të paktën tash për tash

Edhe përderisa ankoheshin për “fund të vdekur”, zëvendësministri Ryabkov dhe zyrtarët tjerë rusë thanë se Moska nuk ka hequr dorë nga diplomacia. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha të premten se Rusia është duke pritur një përgjigje me shkrim pikë për pikë ndaj dy traktateve të sigurisë, që ia ka paraqitur Perëndimit muajin e kaluar. Ai tha se këtë përgjigje pret që ta shohë javën e ardhshme.

Rusia dëshiron që të merret drejtpërdrejt me Uashingtonin

Lavrovi tha se është e qartë se gjasat për marrëveshje do të varen nga ShBA-ja, duke e akuzuar atë për zvarritje të procesit përmes përfshirjes së forumit të sigurisë të OSBE-së, organizatë e madhe me 57 shtete, ku u zhvillua rundi i tretë i bisedimeve të kësaj jave. Rusia dëshiron që ta shfaqë veten si fuqi botërore në pozitë të barabartë me Uashingtonin, por Shtetet e Bashkuara thonë se nuk do të lejojnë që të merren vendime pa përfshirjen e Ukrainës dhe partnerëve të NATO-s. Për këtë arsye, caktimi i formatit dhe kohës së ndonjë bisedimi të ardhshëm mund të mos jetë i lehtë.

Kontrolli i armëve mund të ofrojë ca hapësirë për kompromis

Të dyja palët i mbajtën “vijat e kuqe” të tyre në bisedime. Rusia tha se është “absolutisht e detyrueshme” që Ukraina të mos anëtarësohet kurrë në NATO dhe e përsëriti kërkesën e vet që aleanca t’i largojë trupat dhe infrastrukturën ushtarake nga shtetet ish-komuniste, të cilat ishin anëtarësuar në të pas Luftës së Ftohtë. Shtetet e Bashkuara i quajtën këto kërkesa “të dështuara që në fillim” dhe NATO-ja tha të mërkurën në takimin në Bruksel se të gjitha 30 shtetet anëtare renditen pas këtij pozicioni. Sidoqoftë, ShBA-ja dhe NATO-ja ofruan bisedime për kontrollin e armëve, për vendosjen e raketave në gjendje gatishmërie dhe për masa për ndërtimin e besimit si kufizimet ndaj ushtrimeve ushtarake – gjëra që janë pjesë e listës së dëshirave të Rusisë dhe që nuk kanë qenë në tavolinë deri tash.

Rusia nuk është e gatshme që t’i ulë tensionet

Deklaratat e Moskës për nevojën për dialog janë ndërthurur me javë të tëra me kërcënime të pasaktësuara, strategji që e ka mbajtur Perëndimin në hamendje për qëllimet e vërteta të Rusisë dhe që i ka sjellë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në tavolinën e bisedimeve. Rusia e zgjeroi këtë yrnek të premten me inspektime të papritura ushtarake, në të cilat trupat e saj në lindjen e largët ruse po praktikonin aktivizime në largësi të mëdha. Rusia mohon se është duke u përgatitur për ta pushtuar Ukrainën, por zëvendësministri Ryabkov tha te enjten se specialistët ushtarakë janë duke i ofruar opsione Putinit në rast se gjendja përkeqësohet. Rusia gjithashtu ka kërcënuar me “masa tekniko-ushtarake” që do ta minojnë sigurinë e Perëndimit, nëse kërkesat e saj mbeten të pavënëre. Ministri Lavrov tha të premten se kjo do ta bënte të nevojshme dërgimin e pajisjeve ushtarake në vende të reja. Moska vazhdimisht është munduar që ta rrisë pazarin: zëvendësministri Ryabkov më shumë se një herë e ka krahasuar gjendjen me krizën kubane të raketave më 1962, kur bota i ishte afruar luftës bërthamore. Ndërkohë Uashingtoni thotë se agjencitë e tij të inteligjencës besojnë se Rusia mund të përpiqet që të fabrikojë një pretekst për pushtimin e Ukrainës. Inteligjenca ushtarake ukrainase thotë se shërbimet speciale ruse janë duke përgatitur “provokime”. Rusia nuk i ka komentuar menjëherë dyshimet për përfshirjen e saj në sulmin kibernetik ndaj Ukrainës, në të cilin u publikuan mesazhe në uebfaqet qeveritare ku ukrainasve u thuhej që “të jenë të frikësuar dhe ta presin më të keqen”.

Putini ende nuk e ka dhënë vendimin e vet

Pasi për disa muaj i rriti tensionet ushtarake dhe tha se do të këmbëngulë në garancitë e detyrueshme të sigurisë nga Perëndimi, Putini ka nevojë që t’u tregojë rusëve se ka shënuar fitore të konsiderueshme. Ai tashmë do të mund të argumentojë se i ka detyruar kundërshtarët e Rusisë që t’ia dëgjojnë ankesat, pasi i kishin injoruar ato me dekada, siç pohon ai. Ai mund të pretendojë për progres të mëtejmë, nëse bisedimet e sigurisë do të prodhonin një zotim, për shembull, që të mos vendosen raketa të NATO-s në Ukrainë. Ai s’do të marrë një traktat që e përjashton anëtarësimin e Ukrainës në NATO – por, edhe ashtu, askush nuk pret që kjo të ndodhë në të ardhmen e parashikueshme.

Related Articles

Back to top button
Close
Close