LajmeRajon

Reagon AKR-ja e Pacollit pas deklaratës së Isa Mustafës se sju duhen në koalicion

Aleanca Kosova e Re ka ardhur me një reagim pas deklaratës së Isa Mustafës se nuk do të bëjnë koalicion me këtë subjekt politik, por të njëjtit mund t’i përfshijnë në listën e tyre.

“Ne akoma nuk jemi marrë vesh në LDK se me kënd do të bëjmë bashkëpunim ose kush mund të hyJë në listën tonë për deputet nga shkaku se ne do të shkojmë në listë si LDK, dmth, nuk do të shkojmë me koalicione parazgjedhore me asnjë subjekt politike. Me AKR-në kemi lënë hapësirë nëse ata kanë vullnet mund të krijojmë që njerëzit e tyre të futen në listën tonë dhe të garojnë me një listë të përbashkët me LDK-në, por nuk kemi ndonjë marrëveshje ose nuk kemi specifikuar akoma asgjë nga kjo”, u shpreh Mustafa

Sekretari i Përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli, në një prononcim për “Gazeta Blic” ka sqaruar se ka patur takime mes Isa Mustafës dhe Behgjet Pacollit në lidhje me një koalicion të mundshëm mes tyre, por akoma nuk është definuar asgjë.

Makolli ka cekur se do të ketë një marrëveshje, por se si do të jetë kjo marrëveshje nuk ka dhënë detaje, duke lënë të hapur edhe opsionin që mund të përfshihen në listën e LDK-së.

“Ka patur kontakte të drejtpërdrejta mes dy liderve, liderit të AKR-së Behgjet Pacolli dhe Isa Mustafës. Në parim ka qenë pajtimi për me hy në koalicion, po kushtet nuk janë cekë, nuk është detaju se si do të shkojmë, dhe ka mbetë për në vazhdim me u detaju. Kjo është situata deri më sot, në ditët në vazhdim do të detajohen gjërat. Se si do të hyjmë unë akoma nuk e di, por nuk e dinë as dy liderët. Por situatën nuk duhet ta shohim vetëm nga një prizëm, pasi të dy palët duhet të jenë dakord për tu bërë një koalicion. Nuk mund të them se ne do të rrimë statik në kërkesat tona, apo ata, me siguri do të gjendet një gjuhë e përbashkët, një marrëveshje do të ketë. Se si dhe sa anëtarë do t’i kemi në listë, akoma nuk e di. Nuk mundem me paragjyku, pasi kërkesat tona nuk do të merren komplet parasysh, do të gjendet një mesatare” tha shkurt Makolli për Gazeta Blic.

Aleanca Kosova e Re është në të njëjtin grup parlamentar me Nisma Socialdemokrate në Kuvend dhe veprojnë si grup i vetëm.

Në legjislaturën e fundit të njëjtit kanë qëndruar në opozitë dhe nuk kanë pranuar të përfshihen në Qeveri.

Related Articles

Back to top button
Close
Close