
Sirena alarmi janë dëgjuar në Jordani, pasi raketa të lëshuara nga Irani hynë në hapësirën ajrore të vendit, raportojnë transmetuesi shtetëror jordanez dhe agjencia AFP.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Jordani u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë të strehohen menjëherë, duke paralajmëruar se “raportet tregojnë se raketa, dronë ose predha ndodhen në hapësirën ajrore të Jordanisë”.
Ambasada tha se po monitoron situatën dhe do të japë përditësime të mëtejshme sipas zhvillimeve, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Ndërkohë, një zëdhënës i qeverisë jordaneze i tha agjencisë shtetërore Petra se sirenat u aktivizuan pasi raketat e lëshuara nga Irani hynë në hapësirën ajrore të Jordanisë.
Sipas autoriteteve, raketat janë interceptuar, ndërsa Forcat e Armatosura të Jordanisë janë vendosur në gatishmëri të lartë për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi të mundshëm.
Më herët, një korrespondent i AFP-së raportoi se kishte dëgjuar sirenat e alarmit në disa zona të Jordanisë.
Jordania është një aleate e rëndësishme e ShBA-së në rajon dhe strehon trupa amerikane, si edhe instalime ushtarake.



