LajmeSport

Justin Bieber i bashkohet Madonnës, Shakirës dhe BTS në super spektaklin e finales së Botërorit 2026

Finalja e Kupës së Botës 2026 do të jetë shumë më tepër se një ndeshje futbolli.

FIFA ka konfirmuar se Justin Bieber do të jetë pjesë e spektaklit historik të pushimit mes pjesëve (“halftime show”), duke iu bashkuar emrave të mëdhenj të muzikës botërore si Madonna, Shakira dhe BTS.

Shfaqja do të zhvillohet më 19 korrik në stadiumin “New York New Jersey”, ku do të luhet edhe finalja e Botërorit.

Ky do të jetë “halftime show” i parë në historinë e finaleve të Kupës së Botës dhe pritet të ndiqet nga qindra miliona shikues në të gjithë globin.

Spektakli do të drejtohet artistikisht nga Chris Martin, lideri i grupit Coldplay, ndërsa organizatorët synojnë të krijojnë një ndërthurje unike mes futbollit, muzikës dhe solidaritetit.

Përveç emrave kryesorë, në skenë do të ngjiten edhe Burna Boy, dirigjenti Gustavo Dudamel, kori PS22 Chorus dhe artistë të tjerë surprizë, ndërsa nuk do të mungojnë as personazhe ikonike si Kermit dhe Miss Piggy.

Ngjarja do të ketë edhe një mision humanitar, pasi do të mbështesë FIFA Global Citizen Education Fund, një fond që synon të mbledhë 100 milionë dollarë për të financuar programe arsimore dhe mundësi sportive për fëmijët në mbarë botën.

Justin Bieber u shpreh krenar për pjesëmarrjen në këtë projekt, duke theksuar se Botërori ka fuqinë të bashkojë njerëzit si asnjë ngjarje tjetër sportive.

Edhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, e cilësoi pjesëmarrjen e artistit kanadez si një vlerë të shtuar për një spektakël që synon të vendosë një standard të ri në historinë e eventeve sportive globale.

Related Articles

Back to top button
Close
Close