LajmeMaqedoni

Sulejmani premton zgjidhje për mësimin në shqip, por pa afat të qartë: Në Idrizovë pas klasës së pestë gjuha shqipe nuk ekziston

Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, premton se problemi i mësimit në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë në Idrizovë do të zgjidhet, por pa dhënë afat të qartë. Ndërtimi i katër mësonjëtoreve të reja në SHFK “Njegosh” shihet si hapi i parë për krijimin e kushteve që nxënësit të mund ta ndjekin arsimin në shqip në vendbanimin e tyre.

Zëvëndësministri i Arsimit, Sulejmani tha se MASH, tashmë ka ndërmarrë hapa konkretë për zgjidhjen e problemit me SHFK Njegosh, duke nisur ndërtimin e katër mësonjëtoreve të reja, me qëllim që të krijohen hapësira të mjaftueshme për zhvillimin e mësimit në këtë shkollë.

“Ne si MASH kemi përgatitur një projekt për ndërtimin e katër mësonjëtoreve të reja, me të cilat mendojmë se do ta zgjidhim problemin e hapësirës. Një nga arsyetimet se pse nxënësit duhet të udhëtojnë në shkollat e tjera është pikërisht mungesa e hapësirës”, deklaroi Sulejmani.

Ai tha se pas përfundimit të punimeve do të shqyrtohen edhe problemet e tjera që mund të pengojnë nxënësit të ndjekin mësimin në SHFK “Njegosh”, përfshirë mungesën e mundshme të kuadrit mësimor për lëndë të caktuara.

“Çdo pengesë që paraqitet do të mundohemi ta eliminojmë me një zgjidhje konkrete, në mënyrë që nxënësit më në fund procesin edukativo-arsimor ta zhvillojnë në SHF ‘Njegosh’ dhe, sipas ligjit që u takon, në gjuhën shqipe”, u shpreh ai.

Sipas zëvendësministrit, punimet për ndërtimin e katër mësonjëtoreve tashmë kanë filluar dhe problemi i hapësirës pritet të zgjidhet brenda disa muajve.

“Nuk dëshiroj të flas me afate konkrete, por nuk mendoj se mund të zgjasë më shumë se gjysmë viti”, deklaroi zëvendësministri.

Nxënësit shqiptarë në Idrizovë detyrohen të zgjedhin mes gjuhës amtare dhe largimit nga vendbanimi pasi mësimi në shqip në SHFK “Njegosh” mësohet vetëm deri në klasën e pestë.

Për të vazhduar arsimin fillor në shqip deri në klasën e nëntë, ata duhet të udhëtojnë në vendbanim tjetër, ndërsa alternativa tjetër është të vazhdojnë mësimin në gjuhën maqedonase.

Prindërit akuzojnë partitë shqiptare për neglizhencë dhe mungesë vullneti politik për zgjidhjen e problemit, kurse institucionet luajnë ‘ping-pong’ me përjgegjësinë derisa banorët me dekada përballen me këtë problem.

Prindi Rizvan Seferi, për Portalb.mk tha se problemi me mungesën e mësimit në gjuhën shqipe në këtë shkollë daton që nga vitet ’70-’80 dhe pavarësisht disa përpjekjeve për hapjen e një paraleleje shqipe, deri më sot nuk është gjetur zgjidhje.

Ai thekson se çështja, sipas tij, nuk duhet të shihet nga këndvështrimi partiak, por si një problem që prek drejtpërdrejt fëmijët dhe familjet e tyre.

“Neve nuk na intereson cila parti politike është. Na intereson që shkollën të na e ofrojnë afër shtëpisë, ashtu si nxënësit maqedonas që shkollën e kanë në oborrin e shtëpisë”, përfundon Seferi.

Ndryshe, problemi me mungesën e mësimit në gjuhën shqipe për nxënësit e Idrizovës nuk është i ri. Në vitin 2023, pas kërkesave të prindërve dhe ndërhyrjes së Ministrisë së Arsimit, ishte paralajmëruar hapja e një paraleleje shqipe për klasën e gjashtë në SHFK “Njegosh”, ndërsa 13 nxënësit shqiptarë përkohësisht u sistemuan në SHFK “Kongresi i Manastirit” në Çair. Megjithatë, edhe pas ndërhyrjeve të Inspektoratit Shtetëror të Arsimit dhe Avokatit të Popullit, çështja nuk është zgjidhur në mënyrë të qëndrueshme, ndërsa nxënësit vazhdojnë të përballen me të njëjtin problem për vite me radhë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close