
Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësim të thellë lidhur me spotin qeveritar të publikuar me rastin e 35-vjetorit të pavarësisë së shtetit, në të cilin shqiptarët janë pothuajse tërësisht të përjashtuar, ndërsa gjuha shqipe mungon plotësisht.
Është e papranueshme që një material zyrtar, i financuar edhe nga taksat e qytetarëve shqiptarë, të ndërtohet mbi një narrativë një etnike, duke krijuar përshtypjen sikur ky shtet i përket vetëm një komuniteti.
Shqiptarët kanë qenë pjesë e pandashme e proceseve më të rëndësishme politike dhe shoqërore të vendit, nga periudha e pavarësimit, deri te ndërtimi i institucioneve demokratike, integrimi në NATO dhe rruga drejt Bashkimit Evropian. Kontributi i tyre në jetën politike, ekonomike, arsimore, kulturore dhe shoqërore është i pamohueshëm dhe nuk mund të anashkalohet apo të fshihet nga narrativa zyrtare e shtetit.
Aleanca për Shqiptarët kërkon nga Qeveria të tërheqë këtë spot dhe të publikojë një material të ri, dinjitoz, përfaqësues dhe gjithëpërfshirës, ku të respektohet gjuha shqipe dhe të pasqyrohet në mënyrë të denjë kontributi i shqiptarëve në historinë, ndërtimin dhe të tashmen e këtij shteti.
Njëkohësisht, shprehim keqardhje për heshtjen e përfaqësuesve shqiptarë në Qeveri, të cilët edhe kur preket drejtpërdrejt dinjiteti, identiteti dhe përfaqësimi i shqiptarëve, zgjedhin të heshtin.
Shteti është i të gjithë qytetarëve të tij dhe edhe simbolika shtetërore duhet ta dëshmojë këtë.



